Kryeministri Kurti u takua me drejtoreshën e Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës, Qeveria nuk lëviz në qëndrimin për grevën

Kryeministri Albin Kurti është takuar sonte me drejtoreshën e përgjithshme të Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës (ETUCE), Susan Flocken, me të cilën kanë diskutuar për grevën në arsim në Kosovë.

Në një konferencë për media, ku i pranishëm ishte edhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, Flocken tha se nuk kanë arritur të gjejnë ndonjë zgjidhje për situatën me grevën.

“E përkrahim SBASHK-un në kërkesat e tyre. Edukimi është një profesion i rëndësishëm, të qenit mësues është e rëndësishme dhe meriton gjithë përkrahjen e nevojshme. Ne kemi informuar Komisionin Evropian për situatën në Kosovë. Erdha këtu për të gjetur një zgjidhje pasi mësuesit janë në grevë dhe kërkojnë rritje të pagave, implementim të sigurimit shëndetësor dhe reformën në skemën pensionale. Nuk kemi qenë në gjendje të gjejmë një zgjidhje për këtë çështje” – tha ajo.

Ndërsa Rrahman Jasharaj, i cili e ka shoqëruar në takim drejtoreshën Flocken, tha se takimi ishte i dedikuar për përfaqësuesen Susan Flocken dhe se nga argumentet u vërejt që Qeveria nuk ka ndryshuar qëndrimet e veta.

“Sot zonja Flocken ka pasur një takim me kryeministrin, e kemi shoqëruar edhe ne. Në emër të tërë sistemit arsimor  e falënderoj zonjën Flocken për mbështetjen morale. Sot takimi ishte i dedikuar për zonjën Flocken, është folur në gjuhë angleze dhe shumë gjëra nuk i kam kuptuar, por nga biseda u pa se me gjithë argumentet, Qeveria  nuk ka ndërruar qëndrimet e veta”- shtoi Jasharaj.

Jasharaj tutje potencoi se si përfaqësues i SBASHK-ut nuk do mbajë asnjë takim me kryeministrin pa prezencë të mediave.

Tutje, sipas tij, orët e  humbura në grevë bazuar në kontratë nuk zëvendësohen.

Greva në arsim dhe në sektorë të tjerë ka filluar më 25 gusht

Sindikalistët po kërkojnë rritje të pagës prej 100 euro, derisa të hyjë në fuqi Ligji për Pagat.