Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. FOTO: KALLXO.com

Kryeministri Kurti thotë se për dy vite ekonomisë i janë shtuar 2.1 miliardë euro

Sot para disa deputetëve të Kuvendit të Kosovës, përfaqësuesve nga institucionet e Kosovës, përfaqësuesve të rinisë e të rinjve u bë prezantimi i procesit hartues të Strategjisë Shtetërore për Rini 2024-2032 dhe Planit të Veprimit 2024-2026.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti cilësoi para të pranishmeve se Strategjia shtetërore për rini është mjeti që do të sjellë në tavolinë të gjitha institucionet për të reflektuar mbi sfidat e veçanta të të rinjve në sektorin e tyre dhe për të hartuar e zbatuar politika publike në shërbim të tyre.

“Strategjia shtetërore për rini do të jetë dokumenti kryesor orientues, afatgjatë për qeverinë karshi rinisë ku secila ministri dhe institucion pritet për përcaktojë rolin e vet” – njoftoi kreu i qeverisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. FOTO: KALLXO.com

Tutje, kryeministri tha se në të kaluarën ka pasur planifikim dhe zbatim të fragmentuar e të pa konsoliduar.

Ai bëri edhe krahasime mes gjendjes me ekonominë në qeverinë aktuale dhe me qeveritë e kaluara.

“Rezultatet e planifikimit të mirëfilltë shtetëror kanë filluar të shfaqen gjithandej. Për dy vite ekonomisë sonë i janë shtuar 2.1 miliardë euro… në të kaluarën qeverisë i duheshin tri vite për t’ia shtuar ekonomisë 1 miliardë euro”- shtoi ai.

Në anën tjetër, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku tha se ka pasur shumë mangësi mënyra se si është dizajnuar deri më tani politika rinore.

“Jemi të vetëdijshëm se Kosova më herët ka pasur strategji për rininë, por fatkeqësisht në të kaluarën deri sa ministritë dhe institucionet tjera janë konsultuar, barrën e  zbatimit e ka pasur vetëm Ministria e Rinisë”- u shpreh Çeku.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku. FOTO: KALLXO.com

Ndërkaq, koordinatorja për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Arnhild Spence, tregoi se ka pasur rastin ta lexojë  koncept dokumentin e kësaj strategjie dhe u shpreh e kënaqur mënyrën se si është artikuluar ky dokument.

“Kam përshtypje shumë të mira me këtë dokument, mënyrën si e keni artikuluar këtë në mënyrë shumë konstruktive, pra zgjidhjet dhe të kuptuarit e situatës së të rinjve që janë në Kosovë, nevojat e tyre, shpresat e tyre”.

Koordinatorja për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Arnhild Spence. FOTO: KALLXO.com

Mirëpo, Spence theksoi si problem edhe ikjen e rinisë nga Kosova teksa uroi që përmes strategjisë së re të ketë zgjidhje që të plotësohen më shumë nevojat e të rinjve në Kosovë.

“Diku 50% e njerëzve që jetojnë në Kosovë janë të rinjtë çka i jep fuqi dhe potencial të madh këtij vendi, de kjo është nën kërcënim sepse të rinjtë po largohen nga Kosova” – shtoi Spence.