Kryeministri Kurti takoi kryeministrin e Bullgarisë, Kiril Petkov

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Zëvendëskryeministren, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, Donika Gërvalla, u takuan në Munich me Kryeministrin e Republikës së Bullgarisë, Kiril Petkov.

Nga zyra për informim e kryeministrit thuhet se Kurti e përgëzoi kryeministrin Petkov për marrjen e detyrës dhe i bëri ftesë që të vizitojë Kosovën.

Po ashtu, biseduan për mundësitë e intensifikimit të bashkëpunimit rajonal, sidomos në fushën e sigurisë dhe të diversifikimit të energjisë.

Në komunikatën për media potencohet se Kryeministri Kurti u shpreh se Qeveria e Republikës së Kosovës ka qasje proaktive në bashkëpunimin rajonal dhe se e përkrah plotësisht Procesin e Berlinit dhe Tregun e Përbashkët Rajonal, si platforma e vetme që vepron me rregulla të Bashkimit Evropian dhe sipas agjendës së Procesit të Berlinit dhe të BE-së.

Tutje, u bisedua për menaxhimin e pandemisë ku kryeministri Kurti është shprehur se nga vendi i fundit në rajon për nga përqindja e popullatës së vaksinuar kundër COVID-19, Kosova sot renditet në vendin e parë në Ballkanin Perëndimor.

Kurti e njoftoi kryeministrin Petkov për progresin në ekonomi, në luftën kundër krimit e korrupsionit dhe në fusha të tjera gjatë gati një vit qeverisje.

Në komunikatë theksohet se Kryeministri bullgar po ashtu e përgëzoi kryeministrin Kurti për të arriturat dhe shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e qeverisë së tij për të shtuar bashkëpunimin.