
Foto: ZKM
Kryeministri Kurti takoi ambasadorin britanik Nicholas Abbott, diskutuan për sulmin terrorist kundër Policisë së Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me ambasadorin britanik, Nicholas Abbott, temë qendrore e të cilit ishte sulmi terrorist i 24 shtatorit mbi Policinë e Kosovës, nga i cili u vra në krye të detyrës rreshteri Afrim Bunjaku, situata aktuale e sigurisë dhe hapat përpara.
Sipas një komunikate për media, Kurti e njoftoi ambasadorin Abbott me veprimet e fundit të institucioneve të sigurisë si dhe angazhimin e tyre për garantimin e integritetit territorial, sigurisë, ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë.
Ai tha se në Kosovë sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe siguria kombëtare janë cenuar të dielën.
“Armatimi i ekspozuar tregon që ka qenë në pyetje një skenar për shumë më tepër të vrarë dhe gjakderdhje në Kosovë, skenar ky që fatmirësisht është parandaluar falë profesionalizmit të Policisë së Kosovës. Policia ofron sigurinë për të gjithë qytetarët e Kosovës, për të gjitha komunitetet, pa dallim”- është shprehur Kurti .
“Duke përshkruar grupin e sulmuesve, bëhet fjalë për profesionistë të trajnuar për luftime, të pajisur me mortaja, zollë dhe snajperë, që nuk janë as banda të kontrabandës e as qytetarë të armatosur. Nga informacionet preliminare, shtoi se shumica e tyre duket të kenë qenë pjesëtarë të të ashtuquajturave “Mbrojtja Civile” ose “Brigada Veriore” të cilat Qeveria e Republikës së Kosovës i shpalli organizata terroriste para gati tre muajve”- ka shtuar ai.
Në kumtesë bëhet e ditur se teksa shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar, kryeministri tha se vija kufitare me Serbinë është shumë e gjatë, në veri dhe terreni është malor, andaj është e nevojshme që të kanë bashkëpunim të shtuar vendor e ndërkombëtar për ruajtjen, mbrojtjen dhe kontrollin e kufirit.
Ambasadori Abbott u shprehu ngushëllime familjes, kolegëve të të ndjerit Bunjaku, dhe gjithë qytetarëve të Kosovës, teksa e dënoi sulmin kriminel e terrorist të 24 shtatorit.
Ambasadori britanik ka vlerësuar menaxhimin e situatës nga Qeveria e Kosovës, Policia e Kosovës dhe të gjitha institucionet e tjera shtetërore për profesionalizmin dhe maturinë e shfaqur.
Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.
Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.
Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla, ka publikuar pamje në të cilat shihet nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, në mesin e grupit terrorist që sulmuan Policinë e Kosovës, të dielën e 24 shtatorit.