Kryeministri Kurti takohet me shefin e UNMIK-ut

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar sot takim me  përfaqësuesin special të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Zahir Tanin.

Sipas, njoftimit të Qeverisë, Tanin ka përgëzuar Kurtin për fitoren dhe ka theksuar se prioritet e tij janë ato që reflektojnë kërkesat e qytetarëve.

“Ai tha se prioritetet që ka shpalosur kryeministri Kurti si luftimi i pandemisë, lufta kundër korrupsionit, sundimi i ligjit, janë ato që reflektojnë kërkesat dhe shpresat e qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Ndërsa Kurti ka njoftuar Tanin rreth situatës me pandeminë COVID-19 dhe masat që ka marrë ekzekutivi.

“Kryeministri Kurti dhe z. Tanin u pajtuan se në këto ditë të vështira të pandemisë që ka përfshirë globin, prioritet i çdo qeverie duhet të jetë shëndeti dhe jeta e njeriut.  Ata folën edhe për mbledhjen e radhës për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që do të mbahet këtë të martë”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.