Foto: Zyra e Kryeministrit
Kryeministri Kurti shkon për kryeshëndosh te familja Musliu
Kryeministri, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe disa deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë shkuar për ngushëllime te familja e Liman Musliut në Drenas, i cili humbi jetën tragjikisht më 09.11.2024.
Musliu ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe zyrtar civil në Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së.
“Ai [Kurti] u shprehu familjarëve dhe miqve ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e më të dashurit të tyre, Liman Musliu, të cilin do ta kujtojmë gjithmonë për kontributin kombëtar dhe shërbimin ndaj vendit dhe Forcës së Sigurisë së Kosovë”- bënë të ditur Zyra e Kryeministrit.
Musliu kishte vdekur duke punuar në një objekt banesor në rrugën “Gucia” në Prishtinë.
Sipas zëdhënësit të Prokurorisë së Prishtinës, Skender Govori, viktima dyshohet se derisa ishte duke punuar ka rënë nga kati i 11-të i ndërtesës.
Më pas, Forca e Sigurisë së Kosovës, kishte njoftuar se i ndjeri ishte zyrtar civil në Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së.
Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një minutë heshtje në nderim të pjesëtarit të FSK-së në seancën plenare më 11.11.2024.