Foto: ZKM

Kryeministri Kurti shkarkon Fadil Kodrën (Dokument)

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka shkarkuar nga pozita e drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin Emergjent, Fadil Kodrën.

Në vendim thuhet se Fadil Kodra është shkarkuar për shkak të dyshimit të bazuar për kryerje të veprës penale.

Ky vendim mban datën 14 tetor 2022.

Në vendim u tregua se gjetjet dëshmojnë keqmenaxhimin, e sipas vendimit me këtë edhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare.

Vendimi për shkakrimin e Drejtori të AME-së, Fadil Kodra

Kujtojmë se Kodra ishte shkarkuar edhe një herë nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, më 15 korrik 2022.

Mirëpo, pas afro dy muajve, më 7 shtator 2022, vendimi i të parit të MPB-së ishte anuluar nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK).

Këshilli kishte obliguar Sveçlën që brenda 15 ditëve ta kthejë prapë Kodrën në punë.

“Obligohet Ministri i MPB-së, që brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi të kthej ankuesin Fadil Kodra në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet nga marrëdhënia e punës” – ishte thënë në vendimin e KPMSHCK-së.

13 ditë pas vendimit të KMSHCK-së, më 20 shtator 2022, Sveçla kishte kthyer në punë Kodrën, për të marrë vendimin për largimin e tij pas vetëm një muaji.

Asokohe, në vendimin e publikuar nga avokati i Kodrës, Faton Fetahu, MPB obligohej që Kodrës t’i kompensohej paga nga data 14 korrik 2022 deri në zbatimin e vendimit.

E gjithë kjo kishte ndodhur pas ankesës që Kodra kishte bërë më 22 korrik 2022, ankesë kjo që më pas u aprovua si e bazuar.

Në pjesën tjetër të vendimit të KPMSHCK-së, të siguruar nga KALLXO.com, ishte thënë se Fadil Kodra në ankesën e tij ka pretenduar se Sveçla ka vepruar në mënyrë të gabuar dhe të kundërligjshme në rastin e tij.

Sipas këtij vendimi, Sveçla për ndërprerjen e marrëdhënies së punës së Kodrës e ka përdorur një vendim, i cili, sipas ankuesit, prej 7 vitesh nuk është në fuqi.

Madje, Kodra në ankesën e tij ka pretenduar se edhe vendimi tjetër i marrë nga MPB për caktimin e zëvendësuesit të drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, është nxjerrë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

5 ditë pas dorëzimit të ankesës, më 27 korrik 2022, KPMSHCK ka proceduar kërkesë në MPB, me qëllim që të marrë përgjigje për ankesën e Kodrës.

Këto përgjigje janë dorëzuar nga ana e Ministrisë më 5 gusht 2022.

Në këto përgjigje, sipas vendimit që ka siguruar KALLXO.com, është thënë se pretendimet e ankuesit, respektivisht të Fadil Kodrës, nuk qëndrojnë.

“Sipas organit të punësimit, gjegjësisht Ministria e Punëve të Brendshme, ankuesit nuk i është cenuar ndonjë e drejtë nga marrëdhënia e punës me vendimet e konstatuar si në ankesë” – është thënë në vendim.

Pas përgjigjeve që KPMSHCK-ja mori nga ana e MPB-së, Kolegji për Shqyrtimin dhe Vendosjen e Ankesave, për vërtetimin e plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike si dhe vendosjes në mënyrë meritore ka administruar një mori provash.

Nga analizimi i këtyre provave, ky Kolegj ankesën e Fadil Kodrës e ka cilësuar si të bazuar.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur e cila pretendon se vendimi i Këshillit nuk është i ligjshëm, mund të inicionte konflikt administrativ në Gjykatën Themelore në Prishtinë brenda një afati prej 30 ditësh.

Pas vendimit të KPMSHCK, Sveçla kthen në punë Fadil Kodrën