Kryeministri Kurti refuzon të përgjigjet rreth deklaratës së tij për mediat
Kryeministri Albin Kurti nuk ka pranuar t’iu përgjigjet mediave rreth deklaratës së tij se asnjëherë nuk ka pasur më shumë media kundër Qeverisë.
“Jemi në Klinikën e Radiologjisë, për çështje të tjera, flasim në vende të tjera, herë të tjera”- tha Kurti i pyetur nga gazetarët për këtë deklaratë, gjatë një vizite të tij në Klinikën e Radiologjisë.
Gjatë kësaj vizite bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia ai përuroi renovimin e pritoreve e korridoreve në këtë klinikë.
Në mbledhjen e Lëvizjes Vetëvendosje, gjatë së cilës, Kurti u nominua si kandidat për Kryeministër në zgjedhjet e ardhshme, ai tha se nuk ka pasur kurrë më shumë media kundër Qeverisë se sa në katër vjeçarin e qeverisjes së tij.
“Unë besoj se kjo është për dy arsye apo ndoshta shkaqe themelore. E para, sepse ne nuk i paguajmë. E dyta, sepse tash mediat nuk frikësohen më nga pushteti”- tha ai më 08.12.2024.
Këtë deklarim të Kurtit, e ka dënuar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), duke e quajtur atë si gjuhë të rrezikshme e sulm të papranueshëm kundër mediave.
AGK theksoi se në fjalimin e tij, mes të tjerash, Kurti ka thënë se “mediat për çdo sulm e agresion të Serbisë ndaj shtetit tonë, që fajtorin çdoherë e gjetën tek Qeveria jonë – e asnjëherë te Serbia – nuk meritojnë vëmendjen tuaj.”
Tutje, u tha se është koha e fundit që Kurti “të ndalojë së përdoruri një gjuhë të tillë të nxitjes së urrejtjes ndaj mediave” – që, pastaj, sipas AGK-së, reflektohet e shumëfishohet nga shumë prej votuesve të tij.
“Në respektim të lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes, gazetarët dhe mediat në Kosovë duhet të lejohen që të ushtrojnë punën e tyre, për të mbajtur përgjegjëse Qeverinë – pa u penguar e intimiduar nga pushteti.” – theksohet në reagim.
Kurti, gjatë fjalimit të tij para anëtarëve të LVV-së, tha se shpesh edhe emisionet e lajmeve janë të mbushura me keqdashje.
“Si ka mundësi që, gjithë këto të pavërteta për Kosovën, gjithë këto shpifje për njerëzit tanë, gjithë ky vrer kundër VETËVENDOSJE!-s të shpërndahet kësisoj publikisht?” – u shpreh Shefi i Qeverisë.
“Tash, ata që marrin pjesë dhe orkestrojnë, në numër janë të paktë, por kanë shumë portale e televizione. Dhe, kanë shumë interesa e privilegje financiare, që me qeverisjen tonë të ndershme i kanë humbur. Prandaj, edhe janë kaq agresivë dhe janë në gjendje të bëhen edhe me djallin vetëm e vetëm për ta kthyer kastën e vjetër në pushtet.” – vazhdoi njëjti.
Sipas tij në Kosovë, populli është vetëdijesuar “dhe i njeh ata si paren e kuqe, e si rezultat edhe efekti i kësaj fushate të baltosjes do të jetë zero.”