Kryeministri Kurti pyetet për zgjedhjen e financuesit të LVV-së si drejtor i kanaleve televizive në RTK

Kryeministri Albin Kurti u pyet sot lidhur zgjedhjen e financuesit të partisë së tij, Rilind Gërvalla si drejtor i kanaleve RTK 1, RTK 3 dhe RTK 4.

I ftuar në një konferencë të organizuar nga NDI Kosovo për Integritetin e Informacionit, Kurti u pyet nga Flutura Kusari, juriste e të drejtës së medias, për këtë çështje.

Kusari tha se beson që politizimi i pozitës së drejtorit të televizionit do të ketë pasoja në integritetin e informacionit.

Ajo u shpreh e shqetësuar edhe për zvogëlimin e buxhetit të RTK-së.

“Shqetësimi i dytë ka të bëjë me gjunjëzimin financiar që Qeveria ia ka bërë RTK-së, e cila e ka buxhetin më të vogël në 10 vitet e fundit, nga 16 milionë sa i takojnë me ligj, e ka 8 milionë euro” – tha ajo.

Këto fjali pasuan me pyetjen e saj. “A ka mundësi me marrë masa që punën e mirë që e keni filluar me RTK-në ta vazhdoni në mënyrë që të bëheni shembull për Kosovën dhe jo vetëm?”

Kryeministri tha se nuk ka pasur e nuk ka interesim e gatishmëri se kush ku zgjidhet në RTK.

Ai tha se nuk e inkurajon askënd për këto pozita, por u arsyetua se LVV ka shumë votues e përkrahës dhe atyre nuk mund t’u ndalohet që të marrin poste publike.

“Unë nuk e inkurajoj askënd, por duhet ta kuptoni që shumë votues edhe anëtarë tanë, e ne i kemi gjithsej 438 mijë votues që janë për 36% më shumë se tri partitë e tjera marrë së bashku edhe i kemi mbi 60 mijë anëtarë” – tha ai.

Sipas tij, në vend nuk ka pasur qeveri tjetër që ka pasur më pak ose aspak të punësuar se sa qeveria e tij.

“Nëse ka dikush i cili është kundër nepotizmit, për besë besoj që është kjo qeveri dhe unë si kryeministër. A jemi të përsosur? Jo. Vetëm ta keni parasysh që edhe po të bëhej aty një i LDK-së apo i PDK-së apo i AAK-së, prapë është i një partie politike, nuk mund të themi tash që në një shërbim publik bën të punësohet opozita e nuk bën i qeverisë” – u shpreh Kurti.

Sipas tij, njerëzit për një pozitë duhet të vlerësohen sipas integriteti profesional dhe personal. E se kush ku zgjidhet tha se këtë e përcaktojnë ligji e rregullat.

Për buxhetin, Kurti tha se në vitet e kaluara ka pasur shpërputhje të mëdha mes buxhetit dhe programit.

Programet kulturore e edukative tha se duhet të jenë edhe në sasi edhe në cilësi në televizion publik. por, duke parë buxhetet dhe cilësinë viteve të kaluara, Kurti tha se duhet nxjerrë mësim.

“Unë nuk po them që mungesa e mjeteve e rrit cilësinë, mirëpo ka nevojë për reforma, veçse ato duhet t’i bëjnë bordi edhe menaxhmenti atje” – shtoi ai.

Më 31 janar, bordi i Radiotelevizionit të Kosovës ka miratuar propozimin për zgjedhjen e Rilind Gervallës drejtor të kanaleve RTK 1, RTK 3 dhe RTK 4.

Rilind Gervalla ka qenë donator i Lëvizjes Vetëvendosje sipas raportit vjetor financiar të vitit 2020, ndërsa i njëjti është parë edhe në fotografi me anëtarë të kësaj partie dhe në mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm në vitin 2020.