Kryeministri Kurti priti në takim përfaqësues të institucioneve lokale nga Mitrovica e veriut, Zveçani dhe Zubin Potoku FOTO: Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti priti në takim përfaqësues të institucioneve lokale nga Mitrovica e Veriut, Zveçani dhe Zubin Potoku

Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim përfaqësuesit e institucioneve lokale nga komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit dhe Zubin Potokut.

Zyra e Kryeministrit njoftoi se gjatë këtij takimi u theksua rëndësia e mbarëvajtjes së punës së institucioneve dhe vazhdimi i përmbushjes së detyrave të tyre në kuadër të përgjegjësive që kanë.

“Kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për sundim të ligjit, paqe dhe siguri, respektim të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe pakicave, barazi e shërbim ndaj qytetarëve”- thuhet në njoftim.

Tutje, bëhet e ditur se në takimin e përbashkët me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi,  morën pjesë nënkryetari i Komunës së Zveçanit, Florim Kelmendi, anëtarët e Kuvendeve Komunale nga Mitrovica e Veriut, Zveçani dhe Zubin Potoku: Lulzim Peci, Selvete Kelmendi, Sefer Veseli, Skender Sadiku, Vedat Mehmeti dhe Zenel Jakupi, si dhe shefat e Zyrave komunale për Komunitete të Komunës së Zveçanit dhe Zubin Potokut.

Pas suspendimit të Nenad Gjuriqit nga pozita e drejtorit të Policisë së Kosovës në Drejtorinë Mitrovica – Veri, për shkak të refuzimit dhe rezistencës për të lëshuar fletë-qortime për pronarët e veturave me targa ilegale serbe, zyrtarët serbë nëpër institucionet e Kosovës kanë ofruar dorëheqjet e tyre.

Ndërkaq, të dielën, më 6 nëntor, serbët kanë protestuar në mënyrë paqësore në sheshin “Car Llazari” në Mitrovicën e Veriut, me flamuj të Serbisë, me sllogane të ndryshme nën tingujt e këngëve nacionaliste serbe.

Qytetarët serbë po kundërshtojnë zëvendësimin e targave ilegale të automjeteve me targat RKS (Republika e Kosovës), duke kërkuar gjithashtu formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë automjete me targa ilegale (KM), do të marrin fletë-qortime. Kjo është faza e parë e planit prej tri etapash, që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023, sa i përket riregjistrimit të automjeteve në targat RKS (Republika e Kosovës).

Faza e dytë parasheh gjobë prej 150 eurosh për shoferët që kanë automjete me targa serbe, ndërkaq në fazën e tretë do të përdoren targa provuese.