Foto: Albin Kurti, Manuel Sarrazin

Kryeministri Kurti priti në takim emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin

Kryeministri Albin Kurti mirëpriti në takim emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Përmes një komunikate, Qeveria bën të ditur se kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për procesin e integrimit evropian të Kosovës.

Ai vlerësoi angazhimin e Sarrazin dhe rolin e rëndësishëm të  Gjermanisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, theksohet në komunikatë.

U bisedua për marrëdhëniet rajonale, ndërsa u theksua rëndësia e jetësimit të tregut të përbashkët rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit.

Sipas Qeverisë, duke folur për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Kurti theksoi se Republika e Kosovës ka treguar vullnet dhe gatishmëri për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë.

Tutje, në komunikatë potencohet se kryeministri Kurti ritheksoi se qëllimi i dialogut nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër.

FOTO: Albin Kurti, Manuel Sarrazin
FOTO: Albin Kurti, Manuel Sarrazin