Foto: ZKM
Kryeministri Kurti pritet në takim nga Presidenti i Kroacisë
Kryeministri Albin Kurti është pritur sot, më 13.12.2024, në takim nga presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq.
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se gjatë këtij takimi, Kurti e Millanoviq kanë diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës e Kroacisë. Si dhe, për bashkëpunimin në rritje në fushën e Ekonomisë dhe Mbrojtjes.
Po sipas njoftimit, në këtë takim është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit – përfshirë ato në rajon.
“Kryeministri e njoftoi me detajet e sulmit terrorist të 29 Nëntorit në Zubin Potok, që për cak kishte infrastrukturën kritike. Ai ndau me të veprimet e menjëhershme që, institucionet e vendit ndërmorën për të sanuar dëmin dhe për të evituar pasojat e rënda mbi popullatën civile – që kishte për qëllim sulmi.” – thuhet në njoftim.
Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se presidenti Millanoviq i ka dhënë mbështetje integrimit të Kosovës në struktura euroatlantike
“Gjatë bisedës, Kryeministri theksoi përparimin e përgjithshëm që vendi ka shënuar në vitet e fundit – veçanërisht, në rrafshin ekonomik dhe demokratik. Teksa, gjithashtu u theksua rëndësia e integrimit të plotë të Kosovës në strukturat euroatlantike, përkatësisht në BE dhe NATO – për çka Presidenti Milanović tha se e ka mbështetjen e plotë të Kroacisë.” – thuhet në njoftim.
Kryeministri Albin Kurti po zhvillon një vizitë zyrtare në Kroaci.