Zëvendësndihmës Sekretari i shtetit amerikan, Alexander Kasanof dhe Ambasadori i ShBA-ve, Jeffrey Hovenier mbërrijnë në Qeverinë e Kosovës
Kryeministri Kurti pret në takim emisarin e ri të SHBA-së
Pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në Presidencë, zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Alexander Kasanof, ka vazhduar për në Qeveri për takim zyrtar me kryeministrin Albin Kurti.
Takimi mes Kurtit dhe Kasanof është mbajtur i mbyllur dhe nuk është paraparë konferencë për media pas takimit.
Kasanof ishte takuar me dy prijësit e Kosovës gjatë muajit tetor gjatë takimeve zyrtare në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Kasanof është takuar edhe me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, me të cilin së bashku edhe po zhvillojnë takimet në Kosovë.
Hovenier ka shkruar në rrjetin social “X” se pret vizitë produktive duke i adresuar shqetësimet e përbashkëta.
“Ne presim një vizitë produktive, duke treguar mbështetjen tonë afatgjate për njerëzit e Kosovës, duke i adresuar shqetësimet e përbashkëta dhe duke kërkuar të arrijmë përparim në rrugën europiane të Kosovës si shtet sovran, i pavarur dhe multietnik” -ka shkruar Hovenier.
Emisari i ri po qëndron për herë të parë në Kosovë prej kur u emërua zëvendësndihmës Sekretar për Ballkanin Perëndimor më 19.07.2024.
Kurti në një konferencë për media më 09.10.2024 tha se besojnë të vazhdojnë bashkëpunimin me Kasanofin njësoj si me pararendësin e tij Gabriel Escobar.
“Se çfarë do të mund të presim prej tij, besoj që duhet të kemi një durim prej 24 orësh”- tha Kurti në konferencë për media më 09.10.2024.
Kasanof të mërkurën më 09.10.2024 është takuar me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq gjatë qëndrimit të tij në Beograd.
“Para së gjithash, kam theksuar situatën jashtëzakonisht të vështirë dhe të ndërlikuar në Kosovë dhe kam treguar për kushtet pothuajse të pamundura në të cilat jeton populli serb”, ka shkruar Vuçiq në Instagram.
Ai shtoi se për një dialog konstruktiv nevojiten dy palë dhe se Serbia mbetet e përkushtuar për zgjidhjen paqësore të problemeve, “pavarësisht përshkallëzimeve të panevojshme të tensioneve nga njëra anë”.
Kasanof kishte shërbyer si asistent ekzekutiv nën ish-nënsekretaren për Çështje Politike, Victoria Nuland, dhe gjatë mandatit të ushtruesit të detyrës së nënsekretarit për Çështje Politike, John Bass.
Ai ka shërbyer në Irlandë, Turkmenistan, Kili dhe Ukrainë. Ai madje ka marrë çmim për punën e tij si këshilltar politik në Ambasadën në Kiev gjatë Revolucionit të Maidanit dhe më pas pushtimit rus të Ukrainës.