Kryeministri Kurti pranon telegram ngushëllimi nga kryetari i qytetit Sllavonski Brod

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një telegram ngushëllimi nga kryetari i qytetit kroat Sllavonski Brod.

Në telegram, kryetari Mirko Duspara i ka shprehur kryeministrit Kurti ngushëllime të sinqerta në emër të tij dhe të qytetit Sllavonski Brod, për aksidentin e djeshëm tragjik në afërsi të këtij qyteti, ku humbën jetën dhjetë bashkatdhetarë të cilët udhëtonin nga Gjermania për në Kosovë.

Letra e plotë:

I nderuar Kryeministër,

Me keqardhje të madhe mora lajmin për aksidentin e tmerrshëm të trafikut afër qytetit tonë Slavonski Brod në të cilin, për fat të keq, humbën jetën 10 persona. Në këto kohë të vështira për familjet dhe miqtë e viktimave, ju lutem pranon ngushëllime të sinqerta në emrin tim dhe në emër të qytetit Slavonski Brod.

Me respekt,

Mirko Duspara

Kryetar i Slavonski Brod

Dhjetë persona kanë mbetur të vdekur e mbi 40 të tjerë  të lënduar në aksidentin e një autobusi nga Kosova në Kroaci.

Aksidenti që ka ndodhur afër Sllavonski Brodit po udhëtonte nga Frankfurti drejt Prishtinës i mbushur me udhëtarë kosovarë që vinin drejt Kosovës për pushime.

Autoritetet kroate kanë njoftuar se 15 persona janë në gjendje të rëndë ndërsa katër janë operuar.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që dita e hënë, 26 korrik 2021, të shpallet ditë zie shtetërore në nderim të qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët kanë humbur jetën tragjikisht në aksident trafiku në Republikën e Kroacisë.

Aksidenti tragjik në Kroaci, Kosova në ditë zie