Kryeministri Kurti pranon çmim nga gazetarët ukrainasë që jetojnë në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një çmim mirënjohës nga gazetarët ukrainasë që janë të strehuar në Kosovë.

Zyra e Kryeministrit (ZKM) bën të ditur se këtë mirënjohje Kurti e mori për “kontributin e rëndësishëm në mbrojtjen e gazetarëve ukrainas që janë strehuar në Kosovës për shkak të luftës në vendin e tyre”.

“Gazetarët ukrainas të cilët janë strehuar e jetojnë dhe veprojnë në Kosovë përmes programit Journalists in Residence (JiR), i dorëzuan kryeministrit  Albin Kurti, çmim mirënjohjeje për “Kontributin e rëndësishëm në mbrojtjen e gazetarëve ukrainas gjatë luftës, mbështetjen për programin ndërkombëtar JiR në Kosovë dhe forcimin e bashkëpunimit mes mediave në Ukrainë dhe Kosovë”. Kryeministri e pranoi këtë çmim nga Sergiy Tomilenko, president i Unionit të Gazetarëve të Ukrainës”- thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Sipas njoftimit, kryeministri Kurti i falënderoi për këtë vlerësim, duke shtuar se për ne ka qenë obligim përkrahja e luftës së drejtë çlirimtare e për liri dhe demokraci e Ukrainës.

Po sipas njoftimit, Kurti bëri të ditur para gazetarëve ukrainasë, se në mbledhjen e 216-të të Qeverisë, dy javë më parë, në përputhje me kërkesën e Qendrës Evropiane për Lirinë e Mediave (ECPMF), kemi aprovuar kërkesën që edhe tre gazetarë të tjerë të vijnë në Kosovë përmes programit JiR, e të cilët mezi presim të mbërrijnë në Kosovë.

Njëkohësisht, po sipas  ZKM-së, Kurti shprehu mirënjohjen për përpjekjet dhe kontributin e vazhdueshëm të gazetarëve ukrainas.

Në këtë takim mori pjesë edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.

Foto: ZKM.