
Foto: Albin Kurti/ Facebook
Kryeministri Kurti për presidentin Rugova: I ka lënë Kosovës një trashëgimi të madhe politike, institucionale dhe letrare e studimore
Në 19-vjetorin e vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova, kryeministri Albin Kurti e ka kujtuar duke e cilësuar si një njeri paqësor dhe besnik ndaj rrugës së dialogimit në politikë.
Sipas Kurtit, Rugova luajti një rol kyç në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në fillim të viteve 1990.
“Në historinë moderne të Kosovës, një dekadë e gjysmë (1989-2006) e saj është e lidhur ngushtë me emrin e Presidentit Rugova, periudhë kjo që fillon me rezistencën paqësore të viteve ’90 dhe përfundon me periudhën e ndërtimit të institucioneve të Kosovës që kulmoi me shpalljen e pavarësisë së saj më 2008”- tha Kurti.
Kurti tha se Rugova i ka lënë Kosovës një trashëgimi të madhe politike, institucionale dhe letrare e studimore, duke theksuar se është shtuar edhe një botim i veçantë për raportimet e shtypit italian dhe gjerman për presidentin Rugova.
“Në muajt e fundit, korpusit të botimeve për Presidentin Ibrahim Rugova, u është shtuar dhe një botim i veçantë për raportimet e shtypit italian dhe gjerman për Presidentin Rugova. I përgatitur për botim nga studiuesi Bejtullah Destani, ky libër mund të merret si një hyrje e mirë për t’u njohur me profilin politik të Presidentit Rugova, parë nga perspektiva e raportimeve të mediave ndërkombëtare dhe si një mënyrë për ta kujtuar atë në këtë përvjetor të vdekjes së tij”- tha Kurti.
I pari i Qeverisë shtoi se këto botime u bënë në shenjë mirënjohjeje dhe respekti për presidentin Ibrahim Rugova në 19-vjetorin e vdekjes së tij.