Kryeministri Kurti: Me sistem të ri të pagave ka barazi dhe ndershmëri në mes të kategorive

Kryeministri Albin Kurti përmes një postimi në “Facebook” ka thënë se me sistem të ri të pagave dhe vlera të reja nuk do të ketë më stagnim të pagave pafundësisht.

Ai ka thënë se ato do të lëvizin sipas rritjes punës dhe rezultateve në rritjen ekonomike të vendit.

“Barazi dhe ndershmëri për pagat në mes të kategorive, ngushtim të hendekut midis zyrtarëve të lartë dhe të tjerëve, si dhe mbështetje solide për katër kategoritë jetike për funksionimin e shoqërisë, atë të mjekëve, arsimtarëve, policëve dhe ushtarakëve” – ka shkruar kreu i ekzekutivit.

Në disa fotografi të bashkëngjitura janë paraqitur edhe rritjet e disa prej pagave.

Në shëndetësi, paga më e ngritur është paraqitur ajo e mjekut specialit me 91%, nga 659 në 1260 euro.

Në arsim, ai ka paraqitur rritjet prej 33 deri në 40% për mësimdhënës të ndryshëm.

Ndërkaq, për Policinë e Kosovës dhe zjarrfikësit janë paraqitur rritjet prej 42 deri në 61%.

Në Forcën e Sigurisë së Kosovës rritja më e madhe që është paraqitur është ajo e rreshterit me 180 euro më shumë, ndërsa rritja më e vogël, ajo e ushtarit të klasit të parë me plus 144 euro.

Sot është bërë publike se vlera e koeficientit për pagat në sektorin publik këtë vit do të jetë 105 euro.