Albin Kurti - Foto: ZKM

Kryeministri Kurti mban konferencë për media

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me ministren e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, do të mbajnë konferencë për media.

Konferenca do të mbahet prej orës 17:00 në oborrin e ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Më herët, Prokuroria e Prishtinës ka njoftuar se ka pranuar një informatë nga Policia e Kosovës nëpërmjet një e-mail – shënim zyrtar nga ministrja Rozeta Hajdari.

Ky e-mail – shënim ka lidhje me një incident që ka ndodhur më 24 prill në Telekomin e Kosovës, gjatë një mbledhjeje të bordit të Telekomit.

Më 24 prill, bordi i Telekomit kishte mbajtur një mbledhje pas të cilës ka shkarkuar kryeshefin ekzekutiv të kësaj kompanie, Bedri Istrefi, dy zëvendëskryeshefa ekzekutivë dhe zyrtarin kryesor financiar të kompanisë.

Prokuroria ka njoftuar se pas analizimit të këtij rasti kanë autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore lidhur me sqarimin e rastit në fjalë.

Ndërsa pak para se të fillonte mbledhja e bordit, kryeshefi ekzekutiv tashmë i shkarkuar Bedri Istrefi në një konferencë për media kishte bërë thirrje bordit të mos e dëgjojë kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, i cili, sipas tij, “e shkel Kushtetutën çdo ditë”.