Kryeministri Kurti kujton Enver Zymberin në 10-vjetorin e vrasjes së tij

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një shkrimi në Facebook sot ka kujtuar Enver Zymberin, ish-oficerin e Forcave të Sigurisë të Kosovës i cili u vra në krye të detyrës më 26 korrik të vitit 2011.

“Derisa Kosova është në zi për jetët e humbura në aksidentin tragjik në Kroaci, sot kujtojmë një jetë të dhënë në krye të detyrës në mbrojtje të Republikës së Kosovës“, nis shkrimi i Kurtit në Facebook.

Ai më tutje ka treguar se pas kthimit të tij sot nga vizita te të lënduarit në Kroaci, ka bërë homazhe te varri i Enverit në Dubovc të Vushtrrisë dhe ka vizituar familjen e tij.

Postimi i plotë i Kurtit:

Derisa Kosova është në zi për jetët e humbura në aksidentin tragjik në Kroaci, sot kujtojmë një jetë të dhënë në krye të detyrës në mbrojtje të Republikës së Kosovës.
Me t’u kthyer nga vizita te të lënduarit në Kroaci, në 10 vjetorin e rënies së Enver Zymberit bëra homazhe në Dubovc të Vushtrrisë. Pasi vendosa lule të freskëta te varri i Enverit, vizitova edhe familjarët e tij.
Me bacën Rremë, Muharremin, babain e Enverit, kemi qenë bashkë për afër një vit në burgun e Pozharevcit.
Edhe Enver Zymberi ishte arrestuar nga Serbia, së bashku me babain e tij. Gjatë bombardimeve të NATO-s atë e dëbuan nga Kosova për në Shqipëri, por me të mbërritur në Kukës ai veshi uniformën e UÇK-së dhe u mobilizua si shumë të rinj të tjerë, në luftën çlirimtare, në operacionin “Shigjeta”. Pas përfundimit të luftës, Enveri e vazhdoi kontributin e tij. Angazhimin në Policinë e Kosovës e shihte si vazhdimësi për shërbimin ndaj atdheut.
Ora 04:00 e mëngjesit, data 25 korrik. Enveri ishte zgjuar më herët sepse do merrte pjesë në një aksion. “T’u e pi kafen ai, ia dhash 2 euro se i thash munesh me mbetë gjatë në punë e untohesh…”, tregon baca Rremë.
18 orë më vonë, nga plaga e rëndë në kokë, në QKUK, ndërron jetë Enver Zymberi. Ai u qëllua nga një snajper derisa ishte në detyrë për ruajtje të sovranitetit të territorit të Kosovës.
Përvjetorët vetëm sa e rrisin peshën e veprës së tij.
Lavdi jetës e veprës së heroit tonë, Enver Zymberit!