Albin Kurti - Foto: ZKM

Kryeministri Kurti komenton vendimin e ZRrE-së që favorizonte bizneset e Blerim Devollit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka komentuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), që i jep 6 bizneseve, pas së cilave qëndron biznesmeni Blerim Devolli, te drejtën e përfitimit nga tarifat nxitëse për prodhimin e energjisë nga dielli.

“Jeta në Kosovë” ka gjetur se Blerim Devolli, përmes gjashtë bizneseve, do të përfitojë tarifa nxitëse për prodhimin e 16.7 megavatëve nga 30 megavatë sa është totali i kapaciteteve të energjisë solare të përkrahura nga shteti.

Kryeministri në detyrë Kurti u shpreh se sipas tij është e rëndësishme të dihet se kush janë fituesit në fund.

“Për neve është e rëndësishme që çfarëdo tenderimi publik, gjithmonë të kuptohet se kush janë fituesit e mbramtë, që të mos ketë prapavijë në tregun e lirë në konkurrencën e barabartë”, tha Kurti.

Kurti ka kërkuar që të ketë konkurrencë të barabartë dhe të mos i mundësohet disa kompanive të fitojnë tender, e tjerëve t’i qiten pengesa.

“Në anën tjetër duhet që konkurrenca të jetë e barabartë, jo vetëm të mos ketë kompani paravan, që fshehën si perdet në teatër një aktor tjetër, por në të njëjtën kohë edhe konkurrenca të jetë e barabartë, që të mos ketë për disa operator ekomomik prag në treg, e për disa të tjerë edhe shkallë ndihmëse”, deklaroi Kurti në mes tjerash.

Shefi i Qeverisë deklaroi se në Kosovë duhet të ndiqen praktika të modeleve të Sllovakisë dhe Estonisë, ku kuptohet saktë se kush janë përfituesit e fundit të tenderëve.

“Ka modele të ndryshme, prej Sllovakisë e deri në Estoni, të cilët kanë mundësuar që gjithmonë të kuptohet se kush është përfituesi i mbarmë. E të njëjtën ne do ta zbatonim të njëjtën edhe këtu, veçse shpresoj që sa më parë të dalim nga kjo krizë institucionale sepse na nevojiten edhe ndryshime të legjislacionit”, tha Kurit.

Dy kompani të Blerim Devollit, “Frigo Food Kosova” dhe “Birra Peja” kanë përfituar tarifa nxitëse prej 136.4 euro për megavat nga vendimi i bordit të ZRrE-së i datës 19 maj 2016. Ndërsa, katër kompani të tjera kanë përfituar tarifa nxitëse prej 85.5 euro nga vendimi i datës 27 maj 2019.