Foto: ZKM

Kryeministri Kurti ka pritur në takim ish-komandantin e NATO-s, gjeneralin Wesley Clark

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me ish-komandantin suprem të NATO-s, Wesley Clark, sot më 14.11.2024.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, gjenerali Clark vazhdon të mbetet mik dhe përkrahës i popullit të Kosovës.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti në takim gjeneralin Wesley Clark, njëherësh ish-komandant suprem i NATO-s gjatë luftës në Kosovë e që vazhdon të mbetet mik dhe përkrahës i popullit dhe shtetit të Kosovës” – thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Pjesë e këtij takimi ishin diskutimet për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon si dhe për mundësitë e bashkëpunimit.

“Bashkë diskutuan përparimin që ka shënuar vendi ynë, për zhvillimet aktuale rajonale, dhe për mundësitë e bashkëpunimit” – thuhet në njoftim.

Kryeministri Kurti shfrytëzoi rastin për të falënderuar ish-komandantin e NATO-s për interesimin e vazhdueshëm dhe kontributin që ka dhënë për Kosovën.

“Kryeministri Kurti falënderoi gjeneralin Clark për interesimin e vazhdueshëm për vendin tonë, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për çka i jemi mirënjohës gjithmonë” – thuhet në njoftim.

Në këtë takim Wesley Clark ishte i shoqëruar nga djali i tij dhe bashkëpunëtorë nga vende të ndryshme.

Ish-kamandanti Clark u interesua për planet zhvillimore të Republikës së Kosovës në një kohë të ndryshimeve dhe mundësive të mëdha në botë, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

Gjenerali Wesley Clark ka qenë komandanti suprem i NATO-s në kohën kur Aleanca Veri-Atlantike kishte sulmuar ushtarakisht Serbinë dhe Jugosllavinë e atëhershme për të ndaluar fushatën e spastrimit etnik që forcat serbe po kryenin kundë popullsisë shqiptare të Kosovës.