Mike Pompeo - Foto: REL/AP

Kryeministri Kurti i shkruan letër Sekretarit Pompeo

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas letrës drejtuar Presidentit Amerikan, Tonald Trump, i ka shkruar letër edhe Sekretarit Amerikan të Shtetit, Michael Pompeo.

Ai e ka falënderuar për urimin që Pompeo i kishte bërë Kurtit me marrjen e mandatit ndërsa e ka njoftuar edhe për prioritet e Qeverisë së Kosovës.

Ndërsa, Kurti ka thënë se si kryeministër i Kosovës është i interesuar për arritjen e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi.

“Jemi të vendosur për zgjidhjen e çështjeve të mbetura në mes të Kosovës dhe Serbisë, përmes procesit të dialogut, i cili do të përfundojë me njohjen e ndërsjellë në mes të dy shteteve.  Ne besojmë se kjo është rrugë e rëndësishme drejt integrimit të plotë të Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare si dhe arritjen e marrëveshjes historike, e cila do të krijonte paqe të qëndrueshme në Ballkan”, thuhet mestjerash në letrën e Kurtit.

Ai e ka njoftuar Sekretarin Amerikan edhe për vendimin që pritet të hyjë në fuqi nga 15 marsi, e cili parasheh heqjen e tarifës 100% në lëndën e parë të mallrave nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina.

“Lidhur me këtë, që nga 15 marsi ne do të fillojmë me fazën e parë të heqjes së tarifës në mallrat nga Serbia dhe Bosnia e Hercegovina, e cila ishte vendosur nga qeveria e kaluar. Ne po e bëjmë këtë si gjest diplomatik të vullnetit të mirë, me shpresë që Serbia do të veprojë reciprokisht duke I hequr të gjitha barrierat jotarifore në tregti me Kosovën, si dhe të ndalojë fushatën për çnjohje të Kosovës. Ne e rezervojmë të drejtën për ta rikthyer tarifën në periudhë prej 90 ditësh nëse Serbia nuk jep shenjë të vullnetit të saj të bashkëpunojë për këto çështje”, thuhet në letër.

Kjo është letra e plotë në shqip e Kurtit për Pompeo:

I dashur z. Sekretar,

Ju falenderoj shumë për letrën tuaj të urimit për formimin e qeverisë së re të Republikës së Kosovës. Ju falenderoj për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën si dhe për zotimin tuaj që këtë do ta bëni edhe në të ardhmen.

Qeveria ime është shumë e vendosur në luftën e pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Përveç kësaj, prioritetet kryesore të qeverisë sime do të jenë rritja ekonomike, zgjerimi i investimeve, dhe krijimi i vendeve të reja të punës. Këto dy procese janë të ndërlidhura dhe ne e mirëpresim ndihmën tuaj të vazhdueshme në përpjekjet tona për implementim të qeverisjes së mirë, sundim të ligjit dhe krijimin e mundësive për popullin e Kosovës.

Gjykatat efikase, profesionale dhe të paanshme janë të domosdoshme për drejtësi dhe sundim të ligjit. Ne kemi vendosmëri të palëkundur t’iu japim fuqi prokurorëve dhe t’i mbrojmë ata në misionin dhe detyrat për ta luftuar krimin. Por, sigurisht kemi nevojë për përkrahjen dhe ndihmën tuaj.

Jemi të vendosur për zgjidhjen e çështjeve të mbetura në mes të Kosovës dhe Serbisë, përmes procesit të dialogut, i cili do të përfundojë me njohjen e ndërsjellë në mes të dy shteteve.  Ne besojmë se kjo është rrugë e rëndësishme drejt integrimit të plotë të Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare si dhe arritjen e marrëveshjes historike, e cila do të krijonte paqe të qëndrueshme në Ballkan.

Lidhur me këtë, që nga 15 marsi ne do të fillojmë me fazën e parë të heqjes së tarifës në mallrat nga Serbia dhe Bosnia e Hercegovina, e cila ishte vendosur nga qeveria e kaluar. Ne po e bëjmë këtë si gjest diplomatik të vullnetit të mirë, me shpresë që Serbia do të veprojë reciprokisht duke I hequr të gjitha barrierat jotarifore në tregti me Kosovën, si dhe të ndalojë fushatën për çnjohje të Kosovës. Ne e rezervojmë të drejtën për ta rikthyer tarifën në periudhë prej 90 ditësh nëse Serbia nuk jep shenjë të vullnetit të saj të bashkëpunojë për këto çështje.  Ne, poashtu, i lutemi Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian të krijojë mekanizëm monitorimi dhe sanksionimi, për t’u siguruar që të dyja palët t’i përmbahen premtimeve të bëra në marrëveshjet e tashme dhe të ardhme në mes të dy palëve.

Jemi të vetëdijshëm se gjatë dy viteve të kaluara ka pasë moskoordinim serioz në mes të përfaqësuesve të Kosovës, lidhur me rolin, interesin dhe qëllimet e Kosovës në dialog me Serbinë, si dhe mungesën e qartësisë se kush flet për Kosovën në skenën ndërkombëtare dhe në tryezën e negociatave. Kjo do të përfundojë me qeverisjen time. Qeveria dhe unë si kryeministër kemi mandate, vullnetin politik, si dhe detyrë kushtetuese ta marrim përgjegjësinë e plotë dhe ekskluzive në udhëheqjen e këtij procesi dhe në përfaqësimin e Kosovës në nivelet më të larta diplomatike. Me kënaqësi presim bashkëpunimin me ju dhe partnerët tanë në Bashkimin Evropian, për ta shtyrë këtë proces përpara.

Qeveria ime i sheh marrëdheniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara si marrëdhënie me rëndësinë më të lartë strategjike për vendin tonë, si aleancë që është e bazuar në vlera thellësisht dhe interesa thellësisht të përbashkëta. Angazhimi afatgjatë i Shteteve të Bashkuara për Kosovën ka vlerë të jashtëzakonshme për mua, qeverinë time dhe popullin e Kosovës. Ne presim me ndjeshmëri të lartë thellimin e partneritetit dhe punës së përbashkët me Shtetet e Bashkuara në shtimin e mundësive ekonomike, forcimin e sundimit të ligjit, rritjen e sigurisë rajonale, shtyrjen përpara të dialogut Kosovë-Serbi, si dhe në çështjet e tjera.