Foto: Albin Kurti/ Facebook
Kryeministri Kurti gabon në zgjidhjen e ekuacionit matematikor, u kërkon falje nxënësve
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ishte prezent sot, më 04.09.2024, në ndërtesën e re të shkollës “Ali Hadri” në Podujevë.
Në një klasë të shkollës ai zgjidhi një ekuacion matematikor, por rezultoi që zgjidhja ishte gabim.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti u kërkoi falje nxënësve të klasës 7/1 të kësaj shkolle.
I pari i Qeverisë tha se është i gëzuar që nuk ishte nxënës në atë çast “sepse nuk do të merrja notë kaluese”.
“Ju falemnderit për mikpritjen e përzemërt në ndërtesën e re të shkollës suaj. Gëzimi juaj sot më mbushi me mall për bankat shkollore. Por, më duhet të them që tash jam i gëzuar që nuk isha nxënës në atë çast, sepse nuk do të merrja notë kaluese. Ekuacioni i thjeshtë matematikor m’u duk që në sekondën e parë që e ka zgjidhjen x=5; pra pesë, porsi pesëshet që ua dëshiroj juve. Po të mendoja pak, do ta shihja që zgjidhja e saktë është x=0, por në atë rast, nuk besoj që do të merrja mundin të merrja shkumësin e të shkruaja në dërrasën e klasës suaj. Ju kërkoj falje. Zgjidhja e atij ekuacioni, ashtu qysh ju e dini më mirë se kryeministri i juaj, është x=0”- ka Kurti në një postim në Facebook.