Kryeministri Kurti dhe Presidenti Meta flasin për forcimin e marrëdhënieve në ekonomi

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta kanë zhvilluar një bisedë telefonike, njofton zyra për media e qeverisë së Kosovës.

Në njoftim, thuhet se dy liderët institucional, Kurti dhe Meta, biseduan për forcimin e marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike mes dy vendeve.

“Në fillim, ata diskutuan mbi situatën me COVID-19 në Kosovë dhe Shqipëri, veprimet që dy vendet kanë marrë në parandalimin e përhapjes dhe menaxhimin e infeksioneve të shkaktuar nga virusi Corona, dhe bashkëpunimin që kanë pasur gjatë ballafaqimit me pandeminë. Kryeministri në detyrë Kurti e njoftoi Presidentin Meta për vendimet e fundit për lehtësimin e masave dhe rihapjen graduale të ekonomisë”, thuhet në njoftim.

“Tutje, gjatë bisedës u diskutua për rëndësinë dhe nevojën për forcimin e marrëdhënieve bilaterale në mes dy vendeve në rrafshin tregtar dhe ekonomik, por edhe bashkëpunimin në nivel rajon dhe ndërkombëtar me qëllim përfaqësimin, promovimin dhe mbrojtjen e interesave të përbashkëta”, thuhet në deklaratë.

“Në fund, të dy shprehën zotimin dhe gatishmërinë për të pasur komunikim të vazhdueshëm në shërbim të zhvillimit, forcimit dhe avancimit të bashkëpunimit në mes dy vendeve”, thuhet në fund të njoftimit.