Kryeministri kundër ministrit të Nismas, kërkon largimin e monopolit në tregun e naftës

 

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në konferencën e sotme për media, ka folur edhe për krijimin e një monopoli të ri të naftës nga ana e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Ai tha se ka kërkuar para tre javësh që këto udhëzime administrative të anulohen nëse nuk janë në përputhje me ligjin. Kurse sipas Hotit, nëse ministri i Tregtisë dhe Industrisë nuk e bënë këtë veprim, ai do e dërgojë tutje në rend dite të qeverisë.

“Para tre javësh me vendim të qeverisë unë i kam propozuar qeverisë dhe është mbështetur anulimi i dy udhëzimeve administrative të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Njëri anulim i plotë i udhëzimit dhe tjetri në disa nene. Sa herë që dikush, një qytetar i thjeshtë, një shoqatë vlerëson se një udhëzim nuk është në përputhje me ligjin unë bëjë vlerësimet nga zyra ligjore dhe nëse kjo zyrë rekomandon se ky udhëzim nuk është në përputhje me ligjin, unë i kërkoj ministrit që brenda 10 ditësh ta shfuqizojë atë udhëzim. Nëse ministri nuk vepron sipas kësaj procedure të paraparë në rregullore të qeverisë atëherë unë e nxjerr në rend dite të qeverisë, anulimin e atij udhëzimi. Për herë të parë në qeverinë e Kosovës ka ndodhur kjo para tre javësh, ku janë shfuqizuar dy udhëzime administrative”, ka thënë Hoti

“Për udhëzimin që e keni fjalën unë e kam me datë 11 janar të zyrës ligjore, që ai udhëzim administrativ nuk është në përputhje me ligjin dhe unë kam dërguar shkrese tek ministri që të anulohet ky udhëzim. Afat ka pasur deri më 21 janar, meqenëse kjo nuk ka ndodhur, unë do e fus në rend të ditës në votim në qeveri”, shtoi Hoti.