Foto: Mario Draghi/Facebook

Kryeministri italian Draghi pritet të japë dorëheqje

Qeveria italiane do të rrëzohet pasi tre partnerë kryesorë të koalicionit vendosën ta tërheqin mbështetjen e tyre nga kryeministri Mario Draghi.

Kjo do të thotë që votuesit do të të shkojnë sërish në kutitë e votimit për zgjedhje të reja të përgjithshme – të dytat në katër vjet – me gjasë që do të mbahen në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit.

Liga e Matteo Salvinit, Forza Italia e Silvio Berlusconit dhe Lëvizja Pesë Yjet e Giuseppe Conte (M5S) vendosën të abstenojnë nga një votë mosbesimi në Senat të mërkurën.

Draghi e fitoi votën e besimit 95 kundër 38, megjithatë abstenimet e aleatëve të tij nënkuptojnë fundin e paktit të unitetit kombëtar të vulosur në shkurt të vitit 2021, kur Draghi mori detyrën.

Ai tani pritet t’i paraqesë dorëheqjen presidentit Sergio Mattarella të enjten.

Mattarella kishte refuzuar tashmë dorëheqjen e 74-vjeçarit më 14 korrik, pasi M5S abstenoi gjatë një votimi për një paketë stimuluese.

Presidenti Mattarella megjithatë i kishte bërë thirrje Draghit t’i rimbledh partitë në parlament – dhe të përpiqet ta sigurojë mbështetjen e nevojshme për të qëndruar në detyrë.

Draghi i rinovoi thirrjet e tij për unitet në fjalimin e tij në Senat të mërkurën – por më pas Liga dhe Forza Italia njoftuan se nuk do të qëndronin më në koalicion për sa kohë që M5S do të ishte pjesë e tij.

Politikan jopopullor

Në kontrast të dukshëm me shumë kriza të mëparshme politike në Romë, shumë italianë i janë lutur Draghit të qëndrojë edhe më tutje në detyrë.

Një peticion në internet i quajtur “Draghi, qëndro” – i iniciuar nga ish kryeministri italian Matteo Renzi – mblodhi më shumë se 100,000 nënshkrime deri të hënën vonë.

Qindra qytetarë dhe udhëheqës politikë dolën gjithashtu në mitingje pro-Draghit në Romë, Milano dhe qytete të tjera.

Rreth 1,000 kryebashkiakë nga partitë politike rivale madje i kanë nënshkruar një letër të hapur Draghit duke e nxitur atë të qëndrojë.

Lobe të ndryshme, duke përfshirë një grup mjekësh, gjithashtu parashtruan lutjet “ju lutemi qëndroni” për shqetësimet për zbraztësirën e ndonjë lidershipi qeveritar mes infeksioneve në rritje të koronavirusit.

Mbështetja publike ‘e pamundur të injorohet’

Të mërkurën, Draghi deklaroi se mbështetja popullore për qeverinë e tij është “e paprecedentë dhe e pamundur të injorohet”.

Ish-presidenti i Bankës Qendrore Evropiane (BQE) tha se ishte personalisht i prekur nga thirrjet spontane të punonjësve të zakonshëm mjekësorë italianë, të cilët ai i përshkroi si “heronj të pandemisë”./Euronews

Përgatiti: Nuhi Shala