Donald Tusk | Foto: Facebook
Kryeministri i Polonisë inspekton fortifikimet mbrojtëse në kufirin me Rusinë
Kryeministri i Polonisë Donald Tusk udhëtoi të shtunën në kufirin e vendit të tij me rajonin rus të Kaliningradit për të inspektuar përparimin në ndërtimin e fortifikimeve ushtarake përgjatë kufirit lindor, duke e quajtur atë “një investim në paqe”.
Vizita e zotit Tusk vjen një muaj përpara se Polonia të marrë presidencën e rradhës të Bashkimit Evropian. Zyrtarët polakë thonë se përparësi e tyre është nxitja e vendeve të tjera anëtare që të forcojnë mbrojtjen në përgjigje të agresionit rus në Ukrainë dhe ndryshimeve që pritet të ndodhin së shpejti në Uashington. Disa udhëheqës evropianë janë të shqetësuar se administrata e ardhshme e Presidentit të zgjedhur Donald Trump mund të jetë më pak e përkushtuar për mbrojtjen e Evropës.
Zoti Tusk propozoi gjithashtu këtë javë që Polonia dhe vendet nordike dhe baltike të kryejnë patrullime të përbashkëta në Detin Baltik, që ka rëndësi strategjike, pas prerjes së kabllove nënujore të komunikimit, që dyshohet se ishte vepër sabotimi.
Qeveria dhe ushtria e Polonisë filluan këtë vit ndërtimin e një sistemi mbrojtës, të quajtur “Mburoja Lindore” . Ai do të përfshijë afërsisht 800 kilometra përgjatë kufirit të Polonisë me Rusinë dhe Bjellorusinë, në një kohë kur zyrtarët perëndimorë akuzojnë Rusinë për kryerjen e sulmeve hibride kundër Perëndimit, duke përfshirë përpjekje për sabotazh, përdorimin e emigracionit si armë, dezinformimin dhe masa të tjera armiqësore.
“Sa më mirë të ruhet kufiri polak, aq më e vështirë është qasja për ata që kanë qëllime të këqija”, tha Kryeministri Tusk në një konferencë për shtypin pranë fshatit polak të Dabrovkës ndërsa qëndronte përpara barrierave mbrojtëse prej betoni.
Polonia ka qenë në mëshirën e fqinjëve agresivë gjatë shekujve të fundit dhe është bërë një nga mbështetëset kryesore të sigurisë evropiane në një kohë kur Franca dhe Gjermania janë dobësuar nga problemet e brendshme politike. Polonia synon të shpenzojë 4.7% të prodhimit të saj të brendshëm bruto për mbrojtjen vitin e ardhshëm, duke e bërë atë një nga vendet e NATO-s në shpenzimet më të larta në fushën e mbrojtjes.
Qeveria e Kryeministrit Tusk vlerëson se projekti strategjik i fortifikimit ushtarak të kufirit lindor do të kushtojë të paktën 2.5 miliardë dollarë. Kufijtë e Polonisë me Rusinë, Bjellorusinë dhe Ukrainën janë kufijtë e jashtëm më lindorë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s./VOA