Kryeministri i Izraelit pritet ta vizitojë Bahrejnin

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të martën se “së shpejti” do të vizitojë Bahrejnin, me ftesë të Princit të Kurorës, Salman al-Khalifa.

Pas Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahrejni normalizoi raportet me Izraelin përmes një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara.

Vendimi i këtyre vendeve të Lindjes se Mesme shënoi një rreshtim strategjik të rajonit kundër Iranit.

Por, palestinezët janë zemëruar pasi kanë kërkuar zgjidhjen e çështjes së shtetësisë së tyre, para çdo normalizimi të raporteve me Izraelin nga ana e vendeve arabe.

Një delegacion i Bahrejnit vizitoi Izraelin të mërkurën e kaluar.

Të hënën, një zyrtar izraelit dhe mediat lokale thanë se Netanyahu kishte udhëtuar fshehurazi në Arabinë Saudite të dielën për bisedime me Princin e Kurorës Mohammed bin Salman dhe Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, në atë që do të ishte vizita e parë e konfirmuar publikisht nga një udhëheqës izraelit.

Ministri i jashtëm i Arabisë Saudite, Princi Faisal bin Farhan Al Saud mohoi bisedimet e tilla. Netanyahu nuk i konfirmoi ose mohoi raportet.

Që nga shtatori, administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka ndërmjetësuar marrëveshje të Izraelit me Bahrejnin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Sudanin.

Një delegacion izraelit udhëtoi të hënën në Sudan.

Megjithëse zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë thënë që më shumë vende po konsiderojnë normalizimin e lidhjeve me Izraelin, zhvillimet e mëtejshme nuk kanë gjasa të ndodhin para se presidenti i zgjedhur, Joe Biden, të marrë detyrën më 20 Janar dhe të përcaktojë politikën e administratës së tij për Iranin. /REL