Viktor Orban - Foto: REL/EPA-EFE

Kryeministri i Hungarisë dënon sulmin në Zubin Potok, kërkon hetim të paanshëm 

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka dënuar sulmin në Ibër-Lepenc, njëherësh ka bërë thirrje për hetim të paanshëm të rastit, në mënyrë që “të shmanget përshkallëzimi i mëtejmë në rajon”. 

“Dënojmë sulmin kundër infrastrukturës kritike të #Kosovës në Zubin Potok. Në vend të akuzave të njëanshme, ne bëjmë thirrje për një hetim të paanshëm dhe gjithëpërfshirës. Përmbajtja është e domosdoshme për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm në rajon”- ka shkruar, Orban në X, të shtunën më 30.11.2024. 

Një shpërthim ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut.

Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë.

Këtë sulm e kanë dënuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtete nga Bashkimi Europian. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Joseph Borrel e ka quajtur sulm terrorist shpërthimin në kanalin ujor të Ibër Lepencit në Varagë të Zubin Potokut.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit që shpërthimi shkaktoi në kanalin e Ibër-Lepencit, kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.

Për këtë çështje, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orën 1:30 të mëngjesit të sotëm (30.11.2024), ku ka diskutuar për këtë shpërthim.

Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm, me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar.

Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.

Ndërkohë, ekipe të Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë dalë më 30.11.2024 në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur shpërthimi. Të gjitha lajmet rreth situatës pas shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit mund t’i lexoni në artikullin e mëposhtëm.

Sulmi terrorist në kanalin e Ibër Lepencit – Lajm në Zhvillim