Foto: Mute Egede, Facebook

Kryeministri i Grenlandës: Jemi të gatshëm të punojmë me SHBA-në në fushën e mbrojtjes

Grenlanda dëshiron të punojë më ngushtë me SHBA-në në fushën e mbrojtjes dhe eksplorimin e burimeve të saj minerare, ka thënë kryeministri i saj Mute Egede më 13.01.2025.

Sipas BBC-së, Egede tha se qeveria e tij po kërkonte mënyra për të punuar me presidentin e zgjedhur Donald Trump, i cili javët e fundit ka treguar interes të ri për të marrë nën kontroll territorin – pa përjashtuar përdorimin e forcës ushtarake ose ekonomike për ta berë këtë.

Gjithashtu të hënën, ministri i Jashtëm i Danimarkës tha se ishte gati të punonte me Grenlandën për të “vazhduar bisedimet” me Trump “për të siguruar interesat legjitime amerikane” në Arktik.

Grenlanda, një territor danez me autonomi të zgjeruar, shtrihet në rrugën më të shkurtër nga Amerika e Veriut në Europë, duke e bërë atë strategjikisht të rëndësishme për SHBA-në.

Trump u përpoq të blinte Grenlandën gjatë mandatit të tij të parë në vitin 2019 dhe e ka vendosur përsëri këtë çështje në axhendë me marrjen e mandatit të dytë, duke e quajtur atë një “domosdoshmëri absolute” si për sigurinë amerikane ashtu edhe për atë ndërkombëtare.

Donald Trump ka shprehur gjithashtu dëshirën e tij për të marrë Kanalin e Panamasë dhe u zotua të përdorë “forcën ekonomike” për të absorbuar Kanadanë në SHBA./BBC

Përgatiti: Arjana Berisha/KALLXO.com