Kryeministri i Britanisë: Ka një analogji midis veprimeve të Putinit në Ukrainë dhe Millosheviqit në rastin e Kosovës

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, tha sot se ka një analogji shumë të afërt në mes të veprimeve të Sllobodan Millosheviqit në rastin e Kosovës dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, pas sulmeve në Ukrainë.

Johnson gjatë fjalimit të tij për sulmin e shtetit rus theksoi se është i njëjti agresion i treguar si në rastin e Kosovës nga Beogradi.

Këto komente, Johnson i bëri pas pyetjes se a duhet të sillet Putin para një gjyqi për veprimet ndaj Ukrainës.

“Mendoj se një nga gjërat më magjepsëse për atë që po bën Putini është se sa e afërt ka një analogji midis veprimeve të tij dhe atyre të Slobodan Millosheviqit. Pikërisht e njëjta marrëzi që tregohet për bashkimin mistik mes Kosovës dhe Beogradit, mes Kievit dhe Moskës, saktësisht i njëjti agresion dhe mos harroni se Sllobodan Millosheviqi vdiq në gjyq”, tha ai.

Përgatiti: Mediana Halili