Avdullah Hoti - Foto: KALLXO.com

Kryeministri Hoti paralajmëron shtrëngim të masave, fajëson institucionet dhe gastronominë për rritjen e infektimeve

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka paralajmëruar që brenda dy-tri javëve, qeveria e Kosovës mund të marrë vendim për shtrëngim të masave në rast se numri i të infektuarve me COVID-19 vazhdon të rritet.

Komentet e Hotit erdhën pas raportimeve për rritje të numrit të të infektuarve në ditët e fundit.

“Bëmë një vlerësim të burimeve të infektimeve dhe shtimit të rasteve se kush po shkakton rritjen e rasteve dhe vlerësimi është shqetësues. Rastet po shtohen nga gastronomia dhe nga institucionet, është e papranueshme që bartësit e institucioneve të mos kujdesen për mirëmbajtje të plotë të masave gjatë funksionimit të institucionit”, tha Hoti.

“Sot i kemi ftuar të gjitha inspektoratet dhe u dakorduam që të bëhen grupet punues të inspektoratit sanitar, farmaceutik dhe të tregut dhe ato komunal, në dy ndërrime për shkak se nga sot kanë filluar edhe 75 inspektorë shtesë”, shtoi ai.

Hoti tha se duhet bërë gjithçka për të parandaluar rikthimin e masave kufizuese për qytetarët.

“Është shtu tej mase kapaciteti i testimeve. Me vjen mirë që mora informatën nga Instituti që janë testu rreth 10 mijë nxënës e arsmitarë nëpër shkolla. Përqindja e atyre që kanë dalë pozitivë është 5 % që është mjaft e lartë”, tha Hoti.