Ilustrim, Foto: REL/Reuters

Kryeministri Hoti letër Kancelarit austriak: I dënojmë fuqishëm sulmet terroriste në Vjenë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i ka dërguar një letër Kancelarit të Austrisë, Sebastian Kurz. Përmes kësaj letre, Kryeministri Hoti, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, i ka dënuar sulmet terroriste që tronditën mbrëmë kryeqytetin e Austrisë, Vjenën.

‘’I dënojmë në formën më të fuqishme të mundshme sulmet terroriste në Vjenë dhe qëndrojmë të bashkuar me popullin austriak në këto momente shumë të vështira. Mendimet dhe lutjet tona janë me popullin austriak’’, ka shkruar midis tjerash Kryeministri Hoti.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, e ka siguruar Kancelarin e Austrisë, Sebastian Kurz, se vendi ynë mbështetë institucionet dhe popullin austriak, bashkë me komunitetin ndërkombëtarë në luftë kundër terrorizmit.

Policia e Vjenës ka thënë se tre persona janë vrarë – dy burra dhe një grua – si dhe 15 të tjerë janë plagosur, përfshirë një oficer të policisë, si pasojë e asaj që Ministri i Brendshëm austriak, Karl Nehammer, ka thënë se është “sulm terrorist” në qendër të qytetit.

Incidenti ka ndodhur të hënën në mbrëmje.

Sipas policisë, sulmi është kryer nga të paktën një sulmues i cili është qëlluar nga ana e forcave të sigurisë. Sulmi po konsiderohet të ketë pasur motive islamike.

Sulmi terrorist në Vjenë, 3 të vdekur dhe 15 të plagosur