Kryeministri Hoti i përgjigjet Ganimete Musliut për 28 Nëntorin

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në seancën e Kuvendit të Kosovës i është përgjigjur deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu e cila e kritikoi për vendimin e tij që e hëna të jetë ditë pune dhe të mos ketë pushim për shkak të festës së 28 Nëntorit.

Hoti u arsyetua në atë se deputetët e kanë ftuar në raportim me datën 30 dhjetor dhe se ka zbatuar agjendën zyrtare të trashëguar.

“Lidhur me festën e 28 Nëntorit, Qeveria zbatuar një agjendë zyrtare që është tash e disa dekada, të njëjtën e kemi zbatu më 28 Nëntor, ditë e shtunë. Ju keni caktu seancë që është 30 nëntor dhe ne jemi para juve si anëtarë të qeverisë. Për shkak se gjithë stafi janë në krye të detyrës, kemi vendosë që sot të dalin zyrtarët publikë. Çfarërdo konotacioni që po don mi dhanë zonja deputete, s’është aspak e vërtetë”, tha Hoti.

Deputetja e PDK-së Ganimete Musliu, i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti, që të sillet si zot shtëpie ose të largohet nga detyra.

Musliu tha se për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk u shënua dita e flamurit kombëtar, ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari dhe dalja e UÇK-së në skenë.

“Përveç që nuk u shënua zyrtarisht nga qeveria u tentua që kjo festë edhe të shëmtohet duke luajtur me shkollat të cilat kanë konfuzitet. Kosova me këtë festë për herë të parë u duk pa zot shtëpie”, tha ajo.

“Unë e di që për ju ka qenë shumë e rëndësishme fushata në Podujevë por ju si kryeministër duhet të silleni si zot shtëpie dhe ju bëjë vërejtje se këtë detyrë nuk po e kryeni me nder. Ose silluni si zot shpije ose dorëzojeni zotshpillakun sepse ka kush e udhëheq Kosovën dhe ka kush i kryen detyrat e shtëpisë”, tha ajo.