Kryeministri Hoti i kërkon kryetares së Komisionit Europian liberalizimin e vizave

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë vizitës së tij zyrtare në Bruksel është takuar me kryetaren e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Hoti, përmes një postimi në ‘Facebook’, duke shkruar se institucionet e Kosovës, sipas tij, me punë të vazhdueshme kanë shënuar rezultate të prekshme në përmbushje të kritereve për liberalizim të vizave.

“Këtë çështje e kam ngritur edhe me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Me kryetaren biseduam edhe për çështjet e tjera të aktualitetit politik dhe gatishmërinë e Qeverisë së re të Kosovës për qeverisje të mirë dhe transparente”, ka shkruar Hoti.

Kujtojmë se kryeministri Hoti e ka anuluar takimin në Washington, me palën serbe, pas ngritjes së aktakuzës nga Gjykata Speciale për presidentin e vendit, Hashim Thaçin dhe kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli.