Avdullah Hoti. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kryeministri Hoti flet për dilemat politike rreth zgjedhjes së Presidentit

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se ende nuk ka emër për Presidentin e ardhshëm të vendit duke thënë se nuk e kanë ende opinionin e shumicës së partive politike.

Hoti tha se pret takim me subjektet politike parlamentare për të parë disponimin e tyre për zgjedhjen e Presidentit.

“Është vështirë të thuhet sepse nuk e dimë përfundimisht opinionin e shumicës së partive politike. I dimë qëndrimet e disa prej partive politike por jo të gjithave. Unë besoj që në takimin e parë në tryezën e parë që organizohet me subjektet politike parlamentare ne do ta kemi pikturën e qartë ku është disponimi i partive politike për zgjedhjen e Presidentit”, ka thënë Avdullah Hoti, gjatë një interviste në Televizionin Klan të Shkupit.

Hoti tha se ajo që është e rëndësishme është dakodimi i subjekteve për kriteret dhe parimet në bazë të të cilave do ta zgjedhin emrin konkret për President.

Hoti ka kërkuar që ta lënë anash garën politike dhe të dakordohen për zgjedhjen e Presidentit.

“Pavarësisht çka ndodh, ftesa ime e vazhdueshme ka qenë që të punojmë bashkë si një shoqëri e civilizuar si parti politike që respektojmë rendin kushtetues. Garën politike e lëmë kur vjen koha e zgjedhjeve dhe tash kur vendi ka nevojë për President të ulemi të diskutojmë bashkë nëse mund të arrijmë dakordim”, tha Hoti.

Nëse, sipas tij, nuk ka dakordim, prapë janë rrugët kushtetuese.

Hoti tha se ka pasur takime edhe me presidentin paraprak për të koordinuar aktivitetet mes qeverisë dhe Presidencës.

Të njëjtën gjë Hoti tha se e ka bërë edhe me ushtruesen e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani.

“Aty ku Kushtetuta na kërkon që ne të bashkëpunojmë nuk ndikohemi prej asnjë zhvillimi tjetër politik për të qu përpara agjendën shtetërore”, tha Hoti.

Hoti tha se si koalicion nuk i kanë 80 vota dhe duhet të ulen me opozitën të bisedojnë nëse ata janë të gatshëm për zgjedhjen e Presidentit të ri.