Kryeministri i Holandës, Mark Rutte.

Kryeministri holandez-Kurtit: E mbështesim Kosovën në përpjekjet për të luftuar korrupsionin

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte ka deklaruar se shteti i tij e mbështetë Kosovën me gjithë zemër në përpjekjet e saj për të luftuar korrupsionin dhe për të fuqizuar sundimin e ligjit.

Kështu citohet të ketë thënë Rutte, në një letër urimi që ia ka dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit me rastin e formimin të Qeverisë.

“Holanda qëndron e përkushtuar ndaj rrugës së Kosovës drejt integrimit Evropian. Ju keni pranuar
një mandat të fortë nga populli i Kosovës për të luftuar korrupsionin dhe fuqizuar sundimin e ligjit.
Së bashku me zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, këto janë elementet kryesore të
udhëtimit tuaj drejt Evropës. Kjo është gjithashtu esenciale për rimëkëmbjen ekonomike pas
COVID-19. Më lejoni të ju siguroj që Holanda mbështet Kosovën me gjithë zemër në këto
përpjekje”, thuhet në letrën e tij, përcjell Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

Sipas Rutte, Holanda është e përkushtuar ndaj rrugës së Kosovës drejt integrimit evropian.

Sot gjithashtu, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar letër urimi edhe nga kryeministri i Mbretërisë së Tajlandës, Prayut Prayut Chan-ocha.

Sipas një njoftimi të Zyrës së Kryeministrit, Prayut Chan-ocha thuhet se ka shprehur urimet më të sinqerta e më të mira për formimin e qeverisë së re dhe për emërimin kryeministrit të Kosovës.

“Kryeministri i Mbretërisë​së Tajlandës, Gjeneral Prayut Prayut Chan-ocha, beson që marrëdhëniet e përzemërta ndërmjet Tajlandës dhe Kosovës, të rrënjosura fort në miqësinë dhe bashkëpunimin e ndërsjellë, do të forcohen edhe më shumë për përfitime të përbashkëta të dy shteteve tona dhe popujve tanë”, njoftoi Qeveria.