FOTO FCB RH

Kryeministri Haradinaj: Për pavarësinë e ShBA-së sot feston Kosova

Me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë, amerikanët me mision në Kosovë dhe të gjithë paqeruajtësve në radhë të KFOR-it.

“Populli i Kosovës u është përjetësisht mirënjohës qeverisë dhe popullit të SHBA-ve, për ndihmën e pazëvendësueshme në realizimin e aspiratës historike për liri dhe pavarësi. Kosova me krenari është përcaktuar për aleancë dhe miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

Kryeministri ka shkruar se sot feston edhe Kosova.

“Besnikë të idealeve të lirisë dhe paqes, të cilave iu prin Amerika në botë, sot festojmë edhe ne, krah për krah me miqtë tanë!”, ka shkruar kryeministri Haradinaj.

Shoqata “Miqtë e Amerikës” në bashkëpunim me FSK-në sot do të organizojnë disa aktivitete me rastin e shënimit të 242 vjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Më 4 korrik të vitit 1776, delegatët e 13 kolonive britanike të Amerikës nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë, për shkëputjen nga Britania e Madhe.