Foot: Kyriakos Mitsotakis/ Twitter

Kryeministri grek uron Kurtin, e përmend edhe dialogun Kosovë - Serbi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar telegram urimi nga kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, i cili e ka përgëzuar për zgjedhjen e tij në krye të qeverisë, duke i uruar suksese në detyrën e re dhe të rëndësishme.

“Siç e dini, Greqia gjithmonë ka qenë avokat i vazhdueshëm i perspektives Evropiane për Ballkanin Perëndimor, me qëllim të promovimit të stabilitetit dhe prosperitetit në rajonin tonë të përbashkët, Evropën Jug-Lindore”, thuhet në telegramin e urimit.

Kryeministri grek mes tjerash ka thënë se është i bindur se vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi do të fuqizonte perspektivën evropiane të Kosovës.

“Jam i bindur se zbatimi i reformave të nevojshme nga ana e Prishtinës, në përputhje me rekomandimet e BE-së, vazhdimi i dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të lehtësuar nga ana e BE-së, si dhe shmangia e veprimeve që janë në kundërshtim me marrëdhëniet e mira fqinjësore, do të fuqizonte perspektiven tuaj Evropiane”, është shprehur ai.

Mitsotakis ka shtuar se në këtë drejtim, Greqia do të vazhdojë të mbështesë në mënyrë aktive aspiratat e popullit të Kosovës.

Shteti i Greqisë nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.