Flamuri i Francës, Foto: Pixabay

Kryeministri francez përballet me mocion mosbesimi shkaku i buxhetit

Kryeministri francez, François Bayrou u shtrëngua që planin e tij buxhetor për vitin 2025 ta dërgojë në Parlament, pa siguruar votat e deputetëve të hënën – duke përdorur një mekanizëm të posaçëm kushtetues të njohur si Neni 49.3 për ta aprovuar Ligjin e vonuar të Buxhetit – raporton televizioni Euronews.

Ky hap e ekspozon Qeverinë e re ndaj rrezikut për një votim mosbesimi, jo më larg se të mërkurën.

Partia Socialiste (PS), pjesë e koalicionit majtist Fronti i Ri Popullor (NFR), ka bërë të ditur të hënën pasdite se ka zgjedhur të mos votojë kundër Qeverisë së Bayrout.

PS-ja ka njoftuar në një komunikatë për media se është e gatshme të mendojë për mocionin e mosbesimit vetëm pasi “të votohet buxheti”.

Megjithatë e majta ekstreme, Partia e Francës së Papërkulur (LFI), ka njoftuar se do të dorëzojë dy mocione mosbesimi: një kundër planit të buxhetit shtetëror dhe një tjetër kundër planit të buxhetit për sigurimet shoqërore.

“Qeveria jolegjitime duhet të bjerë.” – ka shkruar LFI-ja në faqen e saj zyrtare në X.

E djathta ekstreme, Tubimi Kombëtar (RN), ende po heziton, duke njoftuar për gazetarët se do të vendosin nëse do të votojnë “për” apo “kundër” Bayrout të mërkurën në Parlament.

Plani buxhetor synon të reduktojë borxhin e rritur publik në 5.4% sivjet, nga 6% sa ka qenë vjet.

Për ta realizuar këtë, Qeveria e Bayrout synon të reduktojë shpenzimet prej 30 miliard euro dhe të rrisë taksat për 20 miliardë euro ndaj përfitimeve të mëdha dhe patundshmërive të të pasurve.

Franca ka qenën në presion të madh të BE-së, lidhur me deficitin e saj, që është dyfish më i lartë se përqindja e autorizuar prej Brukselit.

Pararendësi i Bayrout, Michel Barnier u rrëzua në dhjetor pasi e djathta ekstreme dhe NFP-ja bashkuan forcat për ta rrëzuar Qeverinë.

Franca është zhytur në krizë të thellë politike, pasi presidenti Emmanuel Macron shpërndau besisht Asamblenë Kombëtare në qershor 2024, pasi partia e tij i humbi Zgjedhjet europiane kundrejt së djathtës ekstreme.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com