Kryeministri britanik, Boris Johnson.

Kryeministri anglez përsëri krahason sjelljet e Putinit me të Millosheviqit

Kryeministri i Anglisë, Boris Johnson ka thënë se beson se ka ngjashmëri mes sjelljeve të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin me ish-diktatorin jugosllav Slobodan Millosheviq.

Këtë ai e ka thënë në një intervistë për El Pais.

“Ajo që unë sigurisht besoj është se ka shumë ngjashmëri midis sjelljeve të Putinit dhe viteve të fundit të Slobodan Millosheviqit. Është shumë interesante që të dy liderët kishin qenë në pushtet për një kohë të gjatë, të dy gjithnjë e më autokratikë, që të dy kërkonin të forconin pozicionin e tyre të brendshëm dhe gjetën një kauzë të madhe nacionaliste”, ka thënë Johnson.

Johnson ka thënë se Millosheviq ka identifikuar Kosovën si vendlindje të kombit serb dhe kishte frymëzuar popullin serb, sipas tij me një ide se ai vend duhet të shpëtohej e çlirohej.

Në anën tjetër, Johnson ka krahasuar ngjashmërinë siç e quan ai “gabim katastrofik” të Millosheviqit me atë që presidenti Putin ka thënë për Kievin.

“Ekziston një lloj analogjie shumë e ngushtë midis këtij gabimi katastrofik dhe asaj që presidenti i Rusisë ka thënë për Kievin dhe origjinën e fesë, kulturës dhe qytetërimit rus dhe objektivave të tij në Ukrainë”, ka thënë kryeministri anglez.

Johnson kishte deklaruar se Putin është një kriminel lufte dhe i pyetur se a duhet që ky kriminel të vendoset para një Gjykate Ndërkombëtare, siç kishte ndodhur me Millosheviqin dhe Nuremberg, Johnson ka thënë se kur bëhet fjalë për Gjykatën Penale Ndërkombëtare, është një çështje e tyre.

“Kur bëhet fjalë për Gjykatën Penale Ndërkombëtare, kjo është një çështje e tyre. Do të duhej të ishte mbledhja e provave. Nëse ka prova të përdorimit të municioneve të paligjshme, bombave thërrmuese, armëve me tytë, kjo qartazi do të duhet të sillet në Holandë”, ka thënë Johnson.

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, edhe ditë më parë kishte thënë se ka një ngjashmëri në mes veprimeve të Sllobodan Millosheviqit në rastin e Kosovës dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, pas sulmeve në Ukrainë.

Johnson gjatë fjalimit të tij për sulmin e shtetit rus kishte theksuar se është i njëjti agresion i treguar si në rastin e Kosovës nga Beogradi.

Këto komente, Johnson i kishte bërë pas pyetjes se a duhet të sillet Putin para një gjyqi për veprimet ndaj Ukrainës.

Kryeministri i Britanisë: Ka një analogji midis veprimeve të Putinit në Ukrainë dhe Millosheviqit në rastin e Kosovës