Pamje nga takimi Kurti-Vickers. Foto: ZKM.

Kryeministri Albin Kurti takoi deputetin britanik Martin Vickers

Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në takim deputetin e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar nga radhët e Partisë Konservatore, njëherësh i dërguari për Tregti i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Martin Vickers.

Gjatë këtij takimi  u diskutua për bashkëpunimin e deritëshëm e të mëtejme në fushën e ekonomisë, shkëmbimeve tregtare, energjisë, mbrojtjes dhe kulturës, thuhet në njoftimin e Zyrë së Kryeministrit.

Sipas njoftimit, vëmendje e veçantë iu dha sektorit të energjisë dhe investimeve të huaja.

“Kurti e njoftoi deputetin Vicerks për veprimet e Qeverisë dhe planet për sektorin e energjisë, me fokus burimet e energjisë së ripërtëritshme dhe efiçiencës energjetike. Ai gjithashtu foli për potencialin që Kosova ka për investitorë të huaj dhe se diaspora jonë mund të shërbejë si urë lidhëse për investitorë britanikë”-thuhet në njoftim.

Ndërkaq, sipas ZKM-së, deputeti Vicker u shpreh se do të inkurajojë kompanitë britanike që të hulumtojnë mundësitë në Kosovë. Ai po ashtu e vlerësoi pozitive faktin që nga tash e tutje agjencia qeveritare, UK Exports Finance është e disponueshme edhe për Kosovën dhe do të tërheqë edhe më shumë kompani nga Mbretëria e Bashkuar në Kosovë.

Në këtë takimi i pranishëm ishte edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicolas Abbott.

Pamje nga takimi Kurti-Vickers. Foto: ZKM.