Pamje nga takimi Ratas- Kurti. Foto: ZKM.

Kryeministri Albin Kurti pritet në takim nga kryetari i Parlamentit të Estonisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur sot në takim nga kryetari i Parlamentit të Republikës së Estonisë, Jüri Ratas.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, në këtë takim është diskutuar për çështje të rëndësishme për sigurinë e përbashkët, si dhe për fushat e bashkëpunimit që forcojnë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.

Po sipas ZKM-së, kryeministri Kurti shprehu mirënjohje për mbështetjen e Estonisë për Kosovën në rrugën e integrimeve euroatlantike, si dhe për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët tanë.

Po ashtu, kryeministri Kurti informoi nikoqirin për reformat e ndërmarra gjatë qeverisjes së deritanishme, progresin e arritur në ekonomi dhe përmirësimet në indikatorët demokratikë në vend.

“U bisedua për rëndësinë e solidaritetit me shtetin edhe popullin ukrainas, si dhe u theksuan pasojat nga agresioni ushtarak i Federatës Ruse ndaj Ukrainës. Po ashtu, u fol edhe për ndikimin destabilizues të Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe rrezikun që paraqet për sigurinë kolektive të Evropës dhe vlerat e lirisë dhe demokracisë” – thuhet ndër të tjera në njoftimin e ZKM.

Gjithashtu, gjatë vizitës në Parlamentin e Estonisë, kryeministri Kurti u prit në takim edhe nga kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit, Andres Sutt.

Kryeministri Albin Kurti është duke zhvilluar një vizitë zyrtare në Estoni.

 

Pamje nga takimi Ratas- Kurti. Foto: ZKM.