Kryeinspektori i Punës: Nga 6,034 inspektime në biznese kemi shqiptuar mbi 400 gjoba

Vetëm në vitin 2022 në Kosovë 15 qytetarë kanë vdekur në vendin e tyre të punës.

Një shifër e tillë po konsiderohet shqetësuese edhe nga Kryeinspektori i Punës, Hekuran Nikçi.

Nikçi i ftuar në emisionin “Kallxo Përnime”, në të cilin po prezantohen gjetjet e raportit mbi të drejtat e punëtorëve, tha se vdekjet në vendin e punës janë të gjitha në sektorin e ndërtimtarisë.

Kryeinspektori i Punës tha se në pjesën e dytë të vitit 2022 kanë kryer mbi 6 mijë inspektime në terren. Nga këto 6 mijë inspektime janë shqiptuar mbi 400 gjoba.

“Ne kemi arritur që në pjesën e dytë të vitit të arrijmë targetin e ERA-s që është pjesë e MSA-së. Targeti ka qenë 6 mijë, ne kemi bërë 6 mijë e 32 inspektime. Prej këtyre 6 mijë inspektimeve kemi 400 e ca gjoba. Kjo natyrisht ka rritur vetëdijesimin te bizneset. Në të kaluarën nuk ka qenë praktikë apo ndonjë reformë që bizneset të gjobiten. Atyre u ka shqiptu vërejtje edhe nëse ka qenë recidivist. Gjobat janë shqiptu në raste të rralla ndërsa tani ne kemi fillu një politikë tjetër me gjoba”- tha ai.

Kastriot Berisha nga Zyra Ligjore e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) tha se mungesa e gjobave dhe politika e butë ndëshkimore ndaj bizneseve ka ndikuar në shkaktimin e vdekjeve të punëtorëve në vendin e punës.

Ai thotë që Inspektorati i Punës nuk ka një data-bazë që do të verifikonte nëse bizneset janë recidiviste ndaj shkeljeve.

“Deri te kjo situatë kur kemi çdo muaj pothuajse nga një vdekje të një punëtori në vendin e punës ka ardhur si rezultat i mungesave të gjobave ndaj bizneseve. Në të kaluarën ka pasur shume pak gjoba. Gjobat janë mjaft të ashpra ato shkojnë nga 100 euro deri në 35 mijë euro. Ndërkaq në të njëjtën situatë është edhe çështja e drejtësisë ku politikat e buta ndëshkimore ndaj kryerësve të këtyre veprave ka bërë që ata të mos vetdijësohen”- thotë Berisha.

Kryeinspektori i Punës, Hekuran Nikçi tha se janë duke punuar drejt krijimit të data bazës. Ai theksoi se deri në fund të vitit ‘duhet të kemi një data bazë të krijuar’.