Kryeinspektori i AUV-it tregon se a janë shitur akulloret kancerogjene edhe në Kosovë

Kryeinspektori sanitar në Kosovë, Ibrahim Tershnjaku ka thënë që në Kosovë nuk kanë hyrë akullore të cilat përmbajnë oksid etileni.

Tershnjaku në një prononcim për KALLXO.com ka thënë kompania i ka tërhequr vet nga tregu produktet e saj për shkak të ruajtjes së imazhit të kompanisë.

“Mbrëmë deri në ora 24:00 ne kemi bërë inspektime, dhe kemi parë që të gjitha produktet e kompanisë ‘Mars’ janë të tërhequra nga tregu, nuk kemi në asnjë pikë. Produkti në fjalë nuk është as i ardhur në Kosovë sipas hartës e cila thotë se vetëm Maqedonia dhe Kosova nuk ka produkte të tilla”, tha ai.

Tershnjaku tha që për të menaxhuar më mirë kontrollet nëse ka ndonjë produkt të tillë në Kosovë, janë njoftuar edhe inspektorët sanitarë të komunave.

“Distributori ka qenë i përgjegjshëm, mirëpo ne kemi shkruar edhe një shkresë për inspektorët komunal që të bëhet një inspektim lidhur me gjurmushmrinë e rastit në të gjitha pikat e shitjes me pakicë, pompave të karburanteve si dhe kiosqeve, por siç kam kuptuar kompania menjëherë ka larguar produktet”, tha ai.

Sipas Tershnjakut kompania ‘Mars’ ka tërhequr nga tregu 63 mijë akullore duke kërkuar që edhe asgjësimin e tyre ta bëjë vet ajo.

Kryeinspektori sanitar, tha që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovës (AUVK) do të publikoj një raport për inspektimet e bëra për këtë çështje.

Ditë më parë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Shqipëri (AKU) njoftoi se  11,747.44 kilogram akullore, me përmbajtje kancerogjene është shitur në tregun shqiptar.

 

Akulloret kancerogjene, AKU: Kemi konsumuar 11.7 ton produkte me oksid etileni