Kryediplomati grek viziton Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Dendias, do të qëndroj për vizitë sot në Kosovë.

Kryediplomati grek fillimisht do të takohet me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla. Pas këtij takimi Gërvalla dhe Dendias do të mbajnë konferencë për medie.

Kryediplomati grek do të takohet edhe me presidenten, Vjosa Osmani, kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe kryeministrin Albin Kurti.

Dendias ka vizituar Kosovën edhe më 09 tetor të 2020-tës, kur në krye të Qeverisë ishte, Avdullah Hoti dhe ushtruese e detyrës së presidentes ishte Vjosa Osmani.

Dendias me të arritur në Kosovë pati deklaruar para mediave se çështja e njohës së Kosovës është çështje e vendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve.

Agjenda e Nios Dendias gjatë vizitës në Kosovë:

Ministri grek, Nikos Dendias pritet në Aeroportin e Prishtinës nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla. (Aeroporti “Adem Jashari”, Prishtinë, ora 10:00)

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla zhvillon takim me homologun e saj grek, Nikos Dendias. Më pas të dy mbajnë konferencë për medie në ora 11:10. (Objekti i MPJD-së, ora 10:30)

Presidentja Vjosa Osmani pret në takim diplomatin grek, Nikos Dendias. (Presidenca e Kosovës, ora 11:40)

Kryeparlamentari Glauk Konjufca pret në takim ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias. (Kuvendi i Kosovës, ora 12:20)

Kryeministri Albin Kurti takohet me diplomatin grek, Nikos Dendias. (Qeveria e Kosovës, ora 12:50)