Kryediplomati Blinken në Evropë për forcimin e aleancave

Sekretari i Shtetit Antony Blinken arriti në Bruksel të hënën për takime të cilat Departamenti i Shtetit thotë se synojnë forcimin e lidhjeve me aleatët e NATO-s dhe partneritete në çështje si ndryshimet klimatike, antiterrorizmi dhe përpjekjet e vazhdueshme kundër pandemisë.

Zoti Blinken do të marrë pjesë të mërkurën në takimin e ministrave të jashtëm të vendeve anëtare në NATO si dhe do të zhvillojë bisedime me Sekretarin e Përgjithshëm Jens Stoltenberg.

“Do të jetë një mundësi për sekretarin dhe ministrat e jashtëm për të diskutuar nismën NATO 2030”, tha Philip Reeker, ndihmës sekretar për Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, para udhëtimit të kryediplomatit amerikan, i cili parashtroi disa nga temat e diskutimeve.

“Propozimet për nismën NATO 2030, për përshtatjen e aleancës, shqetësimet mbi Kinën dhe Rusinë, si dhe ndryshimet klimatike, siguria kibernetike, kërcënimet hibride, lufta kundër terrorizmit, siguria energjitike dhe padyshim pandemia si dhe sfidat e përbashkëta me të cilat përballemi së bashku”.

Pas katër vitesh politike të jashtme nën ish-Presidentin Donald Trump që u përqëndruan vetëm tek përparësitë e interesave amerikane, tha zoti Reeker, kryedimpomati Blinken do të mbajë një fjalim në Bruksel duke theksuar angazhimin për të “rindërtuar dhe ringjallur aleancat” ndërsa do të theksojë rëndësinë e NATO-s.

“Ne e dimë që jemi më të fortë dhe më të aftë për të kapërcyer sfidat kur i përballojmë sëbashku. Do të modernizojmë aleancat tona dhe përmirësojmë ato sipas nevojës dhe përballemi me botën”, tha zoti Reeker.

Ndërsa kryediplomati Blinken mbërriti në Evropë, Shtetet e Bashkuara njoftuan sanksione të koordinuara me Bashkimin Evropian ndaj Kinës dhe Mianmarit.

Sanksionet ndaj Mianmarin vënë në shënjestër zyrtarët kryesorë të lidhur me grushtin ushtarak të shtetit të muajit shkurt. Ndërsa sanksionet ndaj Kinës kanë për objektiv disa zyrtarë të akuzuar për abuzim të drejtave të njeriut kundër pakicës myslimane ujgure në provincën Xinjiang.

Lidhur me sanksionet ndaj Kinës, që u vëndosën në koordinim me Kanadanë dhe Britaninë, zoti Blinken tha se Shtetet e Bashkuara po vepronin në solidaritet me aleatët amerikanë.

“Një përgjigje e bashkuar transatlantike dërgon një sinjal të fuqishëm tek ata që shkelin ose abuzojnë të drejtat e njeriut. Ne do të ndërmarrim veprime të mëtejshme në bashkëpunim me partnerët tanë që ndajnë të njëjtat parime”, tha zoti Blinken përmes një deklarate të hënën.

Gjatë qëndrimit në Evropë, kryediplomati amerikan do të takohet me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe shefin e politikës së jashtme të bllokut Joseph Borrell.

Departamenti i Shtetit tha se mes të tjerash do të diskutohet edhe mbi përpjekjet e rimëkëmbjes ekonomike si rezultat i pandemisë, si dhe trajtimi i “sfidave globale që paraqesin Irani, Rusia dhe Kina”.

Për sa i përket Iranit, zoti Reeker tha se kryediplomati Blinken do të konsultohet me kolegët evropianë lidhur me perspektivat që Uashingtoni dhe Teherani të kthehen në mënyrë reciproke tek marrëveshja e nënshkruar në vitin 2015 që kufizon programin bërthamor iranian në shkëmbim të zbutjes së sanksioneve.

Të dy vendet, Shtetet e Bashkua të cilat braktisën marrëveshjen në vitin 2018 gjatë admistratës Trump, dhe Irani, i cili reagoi duke hequr dorë nga angazhimet e marra, kanë shprehur gatishmërinë për të vëzhguar edhe një herë marrëveshjen.

Pjesa përfundimtare e axhendës së udhëtimit të zotit Blinken përfshin bisedime dypalëshe me Zëvendës Kryeministrin dhe Ministren e Jashtme të Belgjikës Sophie Wilmès. VOA