Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj duke dalë nga Prokuroria e Posaçme

Kryebashkiaku i Tiranës, mbi 5 orë në Prokurorinë e Posaçme

Në Shqipëri, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte sot në Prokurorinë e Posaçme, e cila ka regjistruar një procedim penal për “korrupsion pasiv të të zgjedhurve vendorë”. Zoti Veliaj shmangu deklaratat në përfundim të marrjes së tij në pyetje. Pak ditë më parë në Prokurori kishte qenë dhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, në zyrat e së cilës u zhvilluan kontrolle në fillim të këtij muaji, ndërsa iu sekuestrua edhe celulari.

Zoti Veliaj u paraqit në dyert e Prokurorisë së Posaçme pak para orës 09.00, i shoqëruar nga Drejtori Juridik i Bashkisë së Tiranës. Ai doli prej andej pas pak më shumë se 5 orësh.

Në ndryshim nga pranvera, kur ai qëndroi më shumë se 7 orë, për rastin e inceneratorit të Tiranës dhe doli i buzëqeshur, duke u ndalur për një deklaratë të shkurtër, sot, ai evitoi të lëshonte deklarata, duke u mjaftuar të bënte të ditur se do të fliste në mbledhjen e Këshillit Bashkiak pasdite dhe u largua menjëherë. Tre ditë më parë, në Prokurori kishte qëndruar për afro 3 orë edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa.

Mësohet se marrja në pyetje e ish-Kryebashkiakut, është bërë në kuadër të një procedimi penal të regjistruar këtë vit, për “Korrupsion pasiv të të zgjedhurve vendorë”. Ndaj zotit Veliaj, nuk ka një akuzë.

Sipas Prokurorisë, nga hetimet e deritanishme “konstatohet se ekzistojnë të dhëna konkrete që anëtarë të ngushtë të familjes, si dhe familjarë të tjerë të afërt me Kryetarin e Bashkisë Tiranë, kanë marrë përfitime të paligjshme përmes disa shoqërive dhe individëve, të cilët kanë interesa të drejtpërdrejta në Bashkinë Tiranë”.

Po ashtu, nga aktet gjyqësore, është mësuar se – sipas Prokurorisë – “janë evidentuar veprime konkrete, të cilat përfshijnë transaksione financiare, kontrata të dyshimta dhe fatura të dyshuara fiktive të realizuara përmes disa shoqërive, të cilat janë në pronësi të regjistruar ose që kontrollohen faktikisht nga familjarët e ngushtë dhe familjarë të tjerë të Kryetarit të Bashkisë”.

Pikërisht, në vijim të këtyre hetimeve, në fillim të këtij muaji, me vendim të Gjykatës së Posaçme, agjentët e BKH-së ushtruan kontrolle në zyrat e disa kompanive të bashkëshortes së Kryebashkiakut, zonjës Ajola Xoxa, së cilës iu sekuestrua edhe celulari. Kontrolle pati dhe në banesat e vëllait të zotit Veliaj, të cilit po ashtu iu sekuestrua telefoni. Dy ditë më parë, Gjykata e Apelit rrëzoi ankimimin e zonjës Xoxa dhe të vëllait të Kryebashkiakut “kundër kontrolleve të ushtruara”.

Ndërsa, Prokuroria ka hetuar rreth rolit të tij në çështjen e inceneratorit të Tiranës, ai mori një goditje në pranverë kur dy ish-drejtorë të Bashkisë arrestuan, nën dyshimet se ishin pronarët faktikë të kompanisë së ndërtmit “5D”, përmes së cilës kishin përfituar dhe nga fondet publike të Bashkisë. Ndaj disa drejtuesve të tjerë po ashtu, Prokuroria zbatoi masa më të lehta sigurie. Në atë kohë, zoti Veliaj deklaroi se me ta nuk e lidhte asnjë përfitim i paligjshëm personal./VoA