Krusha e Vogël ndihmon Shqipërinë, hap dyert për familjet që pësuan nga tërmeti

Që nga orët e para të mëngjesit të djeshëm shumë familje kosovare kanë hapur dyert e shtëpive të tyre për qytetarët nga Shqipëria, të cilët kanë nevojë për strehim.

Aksionit të dhurimit të gjësendeve elementare si veshmbathje, gjëra ushqimore e higjienike, përveç familjeve janë bashkuar edhe organizata, grupe të ndryshme, individë e shumë të tjerë.

Ndër ta edhe banorët e fshatit Krushë e Vogël, të cilët kanë grumbulluar gjëra ushqimore, higjienike e veshmbathje dhe gjatë ditës së sotme janë nisur drejt Durrësit për t’i dërguar ato.

Sipas banorëve të fshatit, ky aksion është organizuar që sado pak të ndihmohen banorët e Durrësit pas tërmetit që e goditi Shqipërinë mëngjesin e hershëm i së martës dhe gjithashtu për të i’u kthyer mikpritjen që banorët durrsak i bënë këtij fshati gjatë luftës së vitit 1999 dhe për të i’u kujtuar se tashmë kanë shumë shtëpi në Kosovë ku mund të strehohen.

Çifti amerikan, Dave dhe Cindy Johnson,  të cilët kishin jetuar në fshatin Krushë e Vogël pothuajse 20 vjet pas luftës kanë shkruar në Facebook se ndihen shumë të lumtur që ky fshat po ndihmon Shqipërinë pas tërmetit.

“Krushë e Vogël, fshati jonë, jeni fshat i vogël me zemër të madhe. Ne jemi të nderuar që kemi pasur privilegjin të ecim krah për krah me ju pas luftës. Janë zemrat tona të mbushura me gëzim dhe sytë tanë me lot duke parë se si po ndihmoni fqinjin tuaj në këtë kohë të tmerrshme pas tërmeti. Është nder të të njohim”, kanë shkruar ata në Facebook.