FOTO: Policia e Shtetit, screenshot/Facebook.

Krujë, policia zbuloi një tunel për kultivim të bimëve narkotike

Policia në Krujë ka evidentuar një tunel të përshtatur me llamba, për kultivim të bimëve narkotike.

Gjatë kontrollit janë gjetur dhe u sekuestruar 390 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, sistem ndriçimi me 30 llamba, 1 aspirator, 2 ventilatorë, 30 rritës të energjisë elektrike, si dhe pajisje të tjera që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike.

Po ashtu, Policia e Shtetit ka njoftuar se janë identifikuar dhe vënë në pranga tre persona, të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale, po ashtu edhe dy punonjës të OSHEE-së janë vënë në pranga, gjersa dy të tjerë janë në kërkim, pasi kishin lejuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike me të cilën furnizohej tuneli i përshtatur për kultivim të bimëve narkotike.

“Në vijim të veprimeve hetimore u konstatua se tuneli furnizohej me energji elektrike të pandërprerë, nëpërmjet një lidhjeje të paligjshme të energjisë elektrike, në shtyllën e tensionit në fshatin Halil, Fushë Krujë, lidhje për të cilën ka qenë e nevojshme patjetër ndërhyrja e specializuar e punonjësve të OSHEE-së së zonës. Për këtë arsye u bë arrestimi i punonjëve së OSHEE-së, shtetasve O. F. dhe E. H., me detyrë punonjes të OSHEE-së Fushë Krujë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” – thuhet në Njopftimin e Policisë së Shtetit.

“Gjithashtu, u shpallën në kërkim 2 punonjës të tjerë të OSHEE-së, shtetasi S. K., me detyrë përgjegjës i grupit të OSHEE-së (i arrestuar dhe më parë për këtë paligjshmëri) dhe shtetasi E. K., me detyrë elektricist i zonës” – është thënë tutje në njoftim.

FOTO: Policia e Shtetit, screenshot/Facebook.

Policia ka bërë të ditur se materialet i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Vjedhja e energjisë elektike”, “Organizimi i lojërave të fatit” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

Sipas Policisë, ky tunel është ish tunel i ushtrisë dhe është evidentuar në zonën e mbrojtur mjedisore Krastë, në një zonë të vështirë kalimi, i përshtatur për kultivim të bimëve narkotike me anë të llambave.